Anketë e Civilit: Nuk janë duke u krijuar kushte për zgjedhje të lira në Maqedoni (FOTO)

CIVIL – Qendra për Liri e realizoi on-line anketën e dytë, në kuadër të projektit Zgjedhje të Lira për Qytetare/ë të Lirë. Në këtë anketë u parashtruan pyetje të cilat kanë të bëjnë me proceset aktuale politike në vend, me rolin dhe përgjegjësinë e pjesëmarrësve kryesorë në negociatat politike për tejkalimin e krizës politike, si dhe me çështje të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë të bëjnë me zgjedhjet, të caktuara për në prill 2016.

Në këtë anketë morën pjesë 503 anketues. On-line anketa zgjati deri më 9 nëntor, para se të emërohen ministrat dhe zëvendës-ministrat nga radhët e opozitës në qeverinë maqedonase.

Sipas anketës, madje 75 për qind të të anketuarve thonë se në Republikën e Maqedonisë nuk janë duke u krijuar kushte për zgjedhje të lira. Sa u përket negociatave, 60 për qind të të anketuarve e njohin bashkësinë ndërkombëtare si faktor kyç në tejkalimin e krizës politike në vend, ndërsa për pengimin dhe mosrealizimin e Marrëveshjes për tejkalimin e saj e fajësojnë partinë në pushtet VMRO-DPMNE me madje 84,25 për qind.

Sipas rezultateve të on-line anketës së Civilit, 95,83 për qind të të anketuarve besojnë se institucionet e shtetit janë të partizuara.

E parashtruam edhe pyetjen se a duhet njëkohësisht me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen edhe zgjedhje të parakohshme presidenciale, që është pjesë e përpjekjeve publike të Civilit nga vet fillimi i procesit politik në vend. Në mënyrë pohuese në këtë pyetje u përgjigjën 70,38 për qind të të anketuarve, që është në krah të kërkesave publike të Civilit.

Krahas presioneve për t’u ndaluar “bombat” politike të opozitës, 85,69 për qind të të anketuarve konsiderojnë se ajo duhet të vazhdojë me publikimin e bisedave të përgjuara, të cilat dëshmojnë për keqpërdorime dhe krime të pushtetit.

Pothuajse një e treta e të anketuarve (27,04 për qind) beson se Prokurorja e Posaçme Publike do të punojë në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe pa presione, ndërsa 42,54 për qind e konsiderojnë të kundërtën.

Shumica e të anketuarve konsideron se marrëdhëniet ndëretnike janë në gjendje të mirë (54,67 për qind), gjegjësisht në gjendje shumë të mirë (9,15 për qind), ndërsa 56,50 për qind prej tyre beson se në periudhën parazgjedhore nuk do të vijë deri te përkeqësimi. Megjithatë, 94 për qind të të anketuarve beson se partitë politike i keqpërdorin marrëdhëniet ndëretnike në Republikën e Maqedonisë.

1011121314

Loading...