“Arabia planifikon të ndërtojë kanal detar për ta shndërruar Katarin në ishull”

Një këshilltar në Gjykatën e Mbretërisë Saudite, përmes rrjeteve sociale tha se projekti ka për qëllim të dënonte Katarin për shkelje të perceptuara politike

RIJAD (AA) – Një zyrtar saudit ka konfirmuar raportet e planeve për të ndërtuar një kanal detar përgjatë kufirit të Mbretërisë me Katarin, një lëvizje që do ta kthente gadishullin e Katarit në një ishull, transmeton Anadolu Agency (AA).
Saoud al-Qahtani, një këshilltar në Gjykatën e Mbretërisë Saudite, përmes rrjeteve sociale tha se projekti ka për qëllim të ndëshkojë Katarin për shkelje të perceptuara politike.
Verën e kaluar, Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini kolektivisht ndërprenë lidhjet me Katarin, duke krijuar një nga krizat më të mëdha në marrëdhëniet ndër-arabe në historinë e kohës së fundit.
Blloku i udhëhequr nga Arabia Saudite premtoi të imponojë më tepër sanksione mbi Doha-n nëse kjo e fundit nuk arrin të përmbushë një listë kërkesash. Këto kërkesa përfshijnë mbylljen e transmetuesit të lajmeve Al-Jazeera me bazë në Katar dhe ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike të Katarit me Iranin.
Javën e kaluar, mediat raportuan se Arabia Saudite planifikon të ndërtojë një kanal detar prej 60 kilometrash përgjatë kufirit të saj me Katarin, duke premtuar përfundimin e projektit brenda 12 muajve.
Sipas raportimeve të medias, kanali do të ndërtohet afërsisht një kilometër brenda territorit saudit.
Projekti poashtu thuhet se do të përfshijë ndërtimin e një baze ushtarake saudite dhe deponi të mbeturinave bërthamore pranë kufirit.
Sipas al-Qahtanit, Arabia Saudite ka “të drejtën ligjore” për të ndryshuar gjeografinë e rajonit dhe për të ndërtuar një bazë ushtarake dhe deponi të mbeturinave, nëse shihet e nevojshme.
Gazeta saudite “Sabq” ka raportuar se projekti do të realizohet nga një konsorcium prej nëntë investitorëve vendas me një kosto totale prej 2.8 miliardë rialë saudit (afro 750 milionë dollarë).

Loading...