Ministria e Brendshme ka bastisur dy lokacione dhe ka shoqëruar në polici për bisedë informative dy persona si të dyshuar për sulmet ndaj muzeut të Alfabetit në Manastir. Në shishet me të cilat ditë më parë u sulmua muzeu i alfabetit janë gjetur shenjat e gishtërinjve të një personi ende të paidentifikuar.

”Teknika kriminalistike me anë të metodave të forenzikës deri më tani ka gjetur një profil ADN të një mashkulli të pa identifikuar dhe janë ekzaminuar edhe vijat papilare por të një kualiteti të dobët. Policia ka edhe të dyshuar të tjerë që brenda ditës pritet edhe ata të merren në pyetje” – deklaroi Agim Nuhiu, Ministër i Brendshëm.

Nuhiu konfirmon për Alsat se ka iniciuar hetime edhe për sulmet e mëparshme ndaj objektit të muzeut të alfabetit në Manastir.

”Prej sot kemi urdhëruar që policia të shtojë patrullimet pikërisht edhe tek shtëpia alfabetit, xhamitë dhe objektet tjera të cilat kanë qenë caqe të sulmeve gjatë kohës së krizave politike si dhe kam kërkuar që të më informojnë hollësisht për të gjitha situatat që kanë ndodhur paraprakisht, në periudhën kur un nuk kam qenë në MPB” – tha Nuhiu.

Sipas policisë objekti i Muzut të Alfabetit u sulmua me koktej molotovi ndërsa në mure janë vërejtur edhe mbishkrime “vdekje shqiptarëve” si dhe simbole fashiste. Akti u dënua nga Institucionet dhe partitë vendore dhe ato në Tiranë. Muzeu i Alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir tashmë disa herë ishte shënjestër e sulmeve nga huliganë. Megjithatë deri më tani nuk është zbardhur pothuajse asnjë rast. Ndonëse BDI për sa vite në pushtet ka premtuar rinovimin e objektit të muzeut dhe përkujdesje më të madhe në ruajtjen e tij, deri më tani nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret në këtë drejtim. Muzeu i alfabetit në Manastir, së fundi ka qenë objektiva e larjeve të hesapeve politike dhe urrejtjeve nacionaliste ndaj shqiptarëve. /Telegrafi/

Loading...