Arrin në 17 numri i policëve të lënduar, dy rëndë

Policia e Kosovës, përmes një komunikate për medie, thekson se bazuar në planifikimet operacionale ka vazhduar monitorimin e situatës së krijuar nga protesta e sotshme, siç cilësohet – e dhunshme dhe me veprimet e saja ligjore ka arritur të menaxhojë dhe ta vërë situatën nën kontroll.

Si pasojë e dhunës së shfaqur nga ana e protestuesve, numri i zyrtarëve policorë të lënduar ka arritur në shtatëmbëdhjetë, nga të cilët dy zyrtarë kanë pësuar lëndime të rënda, por që janë jashtë rrezikut për jetë.
Njëri nga zyrtarët policor të lënduar rëndë ka qenë me detyrë zyrtare i caktuar në mbarëvajtjen e trafikut në lagjen Ulpiana të Prishtinës, ku papritmas është goditur me mjet të fort në kokë nga protestues të dhunshëm dhe ka pësuar lëndime serioze në kokë.
Po ashtu si pasojë e hedhjes së mjeteve të ndryshme nga ana e protestuesve janë shkaktuar dëme të konsiderueshme si në prona publike po ashtu edhe në prona private.
Në bazë të informacioneve të deritanishme janë dëmtuar tetë vetura civile, një veturë zyrtare 3Z, katër vetura policore, janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në objektin e Parlamentit si dhe në uniforma dhe pajisje të ndryshme policore.
Policia e Kosovës njëkohësisht ka arritur që të ofrojë siguri edhe për vizitën zyrtare të Mbretit të Jordanisë, i cili po qëndron në Kosovë, vizitë kjo e cila po kalon pa probleme.
Policia e Kosovës të gjitha veprimet policore lidhur me situatën e krijuar gjatë protestës dhe pas saj po i ndërmerr në konsultim dhe bashkëpunim me prokurorin kompetent.

Loading...