Në prag të zgjedhjeve më të urryera dhe ndarëse në historinë e kohëve të fundit, bota e artit vendosi deklaratën e vet politike me rikthimin e Ai Weiwei, artistit disident në New York.

Në katër galeri të ndara – “Mary Boone” në periferi dhe në qendër të qytetit, “Lisson” dhe “Deitch Projects” – katër ekspozita të mëdha u hapën të shtunën nga artisti dhe aktivisti i njohur kinez. I fokusuar në krizën e refugjatëve – tema kryesore me të cilën ai ka qenë i preokupuar viteve të fundit – artisti sjell vëmendjen tek tema e tij në mediume të ndryshme, prej Legove, murit antik e deri tek tapiceritë.

“Mendoj se njerëzit nuk brengosen. Me të vërtetë mendoj se njerëzit nuk brengosen”, ka thënë Weiwei gjatë hapjes së njërës prej ekspozitave pasi pa reagimin e njerëzve, transmeton “Koha Ditore” shkrimin e Forbes.

“Kur sheh me mijëra madje edhe miliona refugjatë i vetmi përfundim që nxjerr është se sa pak njerëz brengosen. Nuk po ndodh në një vend, nuk po ndodh për një arsye. Është gjithkund. A ka shpresë për ta (refugjatë)? Fëmijët e tyre? Është humbje e një gjenerate të tërë. Nuk besoj se njerëzit e kuptojnë këtë gjë”, ka shtuar ai.

Në “Lisson Gallery” trungje të drunjta që peshojnë disa tonë janë vendosur para instilacioneve me tapiceritë bardhezi. Në njërin kat, prej dyshemesë deri në tavan shpaloset një histori e tërë në mur, ku rrëfimi i refugjatëve tregohet përmes sinjalizimeve vizuale reminishence të feniksit ose artit ikonografik, të stilit të hieroglifëve egjiptianë. Në “Mary Boone” vazhdon tema e pemës dhe tapicerive. Objektet natyrale janë kërcënim i përbashkët në punën e artistit, në të shumtën e rasteve janë pemët që shërbejnë si motiv spiritual. Në “Bonne” vepra është e kompozuar nga seksione të vdekura të pemëve të ndryshme që fokusohen për të krijuar një të tërë, pjesët e të cilave Weiwei i ka mbledhur nga malet në pjesën jugore të Kinës. Aty janë të vendosura edhe autoportretet e tij në Lego.

“I ndiej njerëzit dhe ndiej dhembjen e tyre. Kam ndjenja të fuqishme kur njerëzit trajtohen ndryshe, apo kur humaniteti dallon. Nuk ka lidhje se cila”, ka thënë ai.

“Kjo është e padrejtë. Është padrejtësi dhe si qenie njerëzore duhet reaguar ndaj këtyre padrejtësive”, ka shtuar ai. Puna më e fuqishme e tij është instalacioni në “Deitch Projects”. Përmban 2 mijë e 46 veshmbathje të lëna nga refugjatët, të cilët ishin nxjerrë me forcë nga kampi në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë. Ai i dërgoi të gjitha këto gjësende në studion e tij në Berlin, ku i lau dhe më pas i hekurosi secilën prej tyre.

Rrobat janë të varura në mënyrë sistematike dhe të kategorizuara në tërë hapësirën – veshje të foshnjave, pantallona, triko dhe të tjera – derisa qindra palë këpucë të mbledhura janë renditur në katin e dytë të galerisë. Muret janë të mbuluara me fotografi të realizuara nëpër kampe të refugjatëve, të cilat Weiwei i ka postuar në rrjetin e tij social “Instagram” (artisti është përdorues entuziast i medieve sociale, ku ka më shumë se 13 mijë fotografi të postuara në llogarinë e tij), derisa dyshemetë janë të mbuluara me fotografi që paraqesin mesazhet prej grupeve të refugjatëve në “WhatsApp”, nëpërmjet të cilave ai ka marrë informata. Efekti i ekspozitës së tij pa dyshim se është i fuqishëm – është e pamundur të mos e ndjesh prezencën e këtyre njerëzve. Pavarësisht përmbajtjes karshi temave më të rënda momentalisht, Weiwei e konsideron veten human, të mbushur me ndjesi që i jep shpirt punës së tij, por edhe i jep një dritë e cila, sipas tij, është e domosdoshme për të jetuar.

“Shkova në ‘Central Park’ tri herë për një udhëtim të shkurtër. U shtriva në bar për të parë qiellin e bukur të New Yorkut. Njerëzit luanin dhe më pëlqente të shihja gjethet që binin. Është shumë bukur”, ka thënë ai, kur është pyetur se si ndihet kur trajton tema kaq të rënda.

“Unë jam sikur gjithë të tjerët”.

Loading...