Pas paraqitjes së trilerit të filmit, ku janë paraqitur skena të ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare si përdhunues, Ministria e Kulturës dëshiron të sqarojë për opinionin se ky film nuk ka të bëjë me Ministrinë e Kulturës dhe stafin aktual të saj, porse është i mbështetur nga Agjencia e Filmit e Republikës së Maqedonisë në vitin 2015. Ndërkaq Agjencia e Filmit është institucion i pavarur nga Ministria e Kulturës dhe është e lidhur drejtpërdrejt me qeverinë. Këtu lajmi i hidhur është se me para publike mbështeten projekte që nuk janë në interes të qytetarëve.

Ky është qëndrimi i Ministrit të Kulturës, Asaf Ademi, i cili njëjtë sikurse shumica e ish ushtarëve të UÇK-së, ka dënuar përmbajtjen e filmit “Ofendimi i Krishtit”, me te cilin njoloset lufta e UÇK-së, e që eshte sponzoruar me mjete buxhetore në vitin 2015.
“Është për keqardhje prirja e qarqeve të caktuara, që synojnë të thirren në vlera universale kulturore, ndërsa gërmojnë në rrënimin e asaj që dikush tjetër e konsideron të rëndësishme, të vlefshme ose, madje, të shenjtë në Republikën e Maqedonisë. Kjo flet se ende ka struktura që Maqedoninë nuk e kuptojnë si arenë për garë kulturore ndërmjet popujve, por më shumë si fushëbetejë hobsiane të luftës së secilit kundër secilit. Nisur nga kjo Ministria e Kulturës distancohet nga ky film, e dënon urrejtjen që nxit ai dhe thekson se stafi aktual i kësaj ministrie mbetet i përkushtuar që të prodhojë kulturë dhe projekte kulturore që e respektojnë tjetrin, që i mirëkuptojnë të tjerët dhe që afirmojnë vlera kulturore universale. Ne si Ministri e Kulturës do të bashkëpunojmë ngushtë me drejtuesit aktualë të Agjencisë së Filmit, për t’i ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm ligjorë, që ky film të mos mund ta dëmtojë bashkëjetesën mes kombeve në Maqedoni”, deklaroi Ademi.

Ai shtoi se pasi ka parë pashë skenarin filmit, si dhe dokumentacionin e dorëzuar në Agjencinë e Filmit, në bazë të nenin 60 të Ligjit për veprimtari të filmit, ka vendosur të të bëhet inspektim dhe në atë mënyrë të vërtetohet nëse është respektuar norma ligjore dhe rregullat e tjera nga fusha e filmit.
“Megjithëse arti nuk njeh kufij, ai nuk mund t’u shërbejë edhe prirjeve urrejtjendjellëse, që i dëmtojnë kufijtë e dashurisë dhe tolerancës mes njerëzve. Këtu dua t’ua lexoj emrat e atyre që e kanë lejuar këtë film, të cilët janë edhe përgjegjës për këtë fyerje që u bëhet shqiptarëve në Maqedoni. Siç e shihni, në këtë përbërje nuk ka asnjë shqiptar, që është skandal më vete, sepse në projekte kaq të shtrenjta, që prekin edhe në interesin e bashkësive të tjera etnike në vend, nuk është gjetur as edhe një shqiptar i vetëm ose një pjesëtar i bashkësive të tjera etnike. Sipas nesh, kjo nuk është Maqedonia e projektuar multietnike dhe multikulturore”, ishte decid Ademi.
Ndonëse ky nuk është projekti i parë filmik që i fryn zjarrit të urrejtjes, sepse viteve të kaluara ka pasur edhe disa filma të tjerë që kanë pasur synime dhe përmbajtje të këtilla, madje ndërkohë mund të dalë edhe ndonjë film tjetër që është përkrahur nga regjimi i kaluar në vitet e kaluara, e rëndësishme është të themi se ky do të jetë filmi i fundit me këso përmbajtje, premtoi Ademi. “Me Ligjin e ri të kulturës këtë çështje e kemi rregulluar ndryshe dhe tash e tutje nuk ka asnjë mundësi që dikush me paratë e qytetarëve të realizojë projekte që janë kundër interesit publik të qytetarëve. Prandaj jemi të sigurt se në të ardhmen nuk do të mund të përsëriten shembuj të këtillë të gërryerjes së kohezionit shoqëror në vendin tonë”, theksoi ministri i kulturës, Asaf Ademi.

Loading...