Duke shfrytëzuar mjegullinat e problemit me emrin e shtetit dhe marrëveshjen me Greqinë, ministri i shëndetësisë Venko Filipçe vazhdon me avazin e tij duke shpallur tenderë me rregulla nga e kaluara, e kësaj radhe me vlerë prej hiq më pak se 35 milionë euro, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët (ASH).

“ Ky tender skandaloz që rrjedh nga projekti për centralizimin e laboratorëve biokimikë në nivel qendror është shumë i dyshimtë pasi që kompania fituese do ketë monopol mbi gjithë biznesin me aparate dhe reagensë biokimike në periudhë prej tre vjet. Që gjithçka të jetë edhe më e dyshimtë dhe skandaloze është fakti se tenderi në fjalë është ashtu i përpiluar që fituese të jetë një kompani e dyshimtë e cila ekziston jo më shumë se katër muaj dhe udhëhiqet nga njerëz në moshë të re dhe pa përvojë në këtë lëmi, por edhe në shëndetësi në përgjithësi”, thuhet në reagim.

Departamenti i Shëndetësisë i Aleancës për Shqiptarët kërkoi që ky projekt të ndërpritet menjëherë duke propozuar që më së pari të formoheshin grupe të ekspertëve të cilët do të regjistronin aparatet ekzistuese, frekuencën dhe sasinë e punës të çdo laboratori biokimik, numrin e popullatës që mbulojnë dhe numrin dhe kualifikimet e të punësuarve në këtë fushë, thonë nga kjo parti.

Aleanca për Shqiptarët duke u bazuar në parregullsitë e shumta në këtë tender por edhe në skandalet e tjera nga fillimi i mandatit, kërkon dorëheqjen e ministrit të shëndetësisë, si akt moral ndaj popullatës që merr shërbimet më të dobëta në regjion, thuhet më tej në reagim.

Loading...