Aleanca për Shqiptarët ka mbajtur një pres konferencë, për të informuar opinionin, siç thanë, “për zgjedhjen e gjykatësve që vijnë nga ombrella e partive në pushtet”.
“Se Maqedonia nuk e ka ndërmend të reformojë sistemin e drejtësisë, flet edhe zgjedhja e djeshme e gjykatësve partiakë, nga Këshilli Gjyqësor Republikan, i cili është shndërruar në makineri votuese duke i zgjedhur kandidatët që delegohen nga zyrat partiake të LSDM dhe BDI.
Suhbi Jakupi i cili u zgjodh gjykatës në Gjykatën e Lartë Administrative, kuadër i BDI, ish anëtar i Komisionit Qendror zgjedhor, i cili u detyrua të japë dorëheqje së bashku me kolegët tjerë të KQZ, për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, që në mënyre jo transparente, krahas pagës së rregullt kishin ndarë edhe disa paga plotësuese për veten e tyre dhe të holla të majme për udhëtim, në kundërshtim me të gjitha normat e kriteret ekzistuese për këto qëllime.

Ky person i cili dha dorëheqje nga posti që mbante, pas alarmit të Ambasadës së SHBA-ve në Shkup përmes ambasadorit Xhes Bejli i cili KQZ-në e vlerësoi si Institucion të korruptuar, dje u zgjodh gjykatës në Gjykatën e lartë Administrative”, tha Flakron Bexheti i ASH-së.

Ai parashtroi pyetjen se çfarë kredibiliteti moral dhe integriteti personal do ketë Suhbi Jakupi për ta ushtruar detyrën e Gjykatësit?
“Çfarë drejtësie do t’u ndajnë qytetarëve gjykatësit partiakë të llojit të Suhbi Jakupit, ish anëtar i KQZ, i deleguar nga BDI, ose nga Xhelal Bajrami, Prokuror i lartë republikan, ish zv. Ministër i BDI-së në Ministrinë e Punëve të Brendshme, apo ndonjë tjetër, që në poste me aq rëndësi, ku do të ndahet drejtësia, vjen përmes nepotizmit.
Çfarë sistemi Juridik, dhe shtet të së drejtës mund të ketë në Maqedoni, kur gjykatës dhe prokurorë delegohen nga po ato parti politike, zyrtarët politik të të cilëve janë pjesë e hetimeve dhe procedurave për krim dhe korrupsion?
E pyesim Kryeministrin Zoran Zaev, tani edhe si njeri që udhëheq me organin për reforma në sistemin e drejtësisë se ku mbeti reforma në Këshillin Gjyqësor republikan, i cili është plot anëtar të afërt të LSDM, të VMRO dhe BDI-së dhe po zgjedhin gjykatës të afërt me partitë në pushtet, duke pamundësuar zgjedhjen e gjykatësve tjerë profesionist!?
A është i vetëdijshëm Kryeministri Zoran Zaev, se me zgjedhjen e gjykatësve partiakë, dhe kryetarëve partiak të gjykatave në Maqedoni që dikur zgjidheshin nga zyrat partiake të VMRO-BDI, sot që zgjidhen sërish nga zyrat e BDI-së dhe LSDM. Kjo mënyrë e emërimeve partiake në poste me aq rëndësi në sistemin gjyqësor, nuk e reformojnë sistemin e drejtësisë, përkundrazi këto zgjedhje joprofesionale dhe partiake i minojnë dhe seriozisht i pengojnë proceset euro-integruese, pikërisht në këto momente, kur reformat në gjyqësi, dhe gjyqësia e pavarur nga partitë dhe qeveria, janë parakusht që Maqedonia të inkuadrohet në BE dhe NATO”, pyeti Bexheti.
ASH kërkon urgjentisht të ndërmerren masa për ta reformuar dhe depolitizuar Këshillin Gjyqësor Republikan nga anëtarët partiak te LSDM, BDI dhe VMRO të cilët nuk kanë kredibilitet të zgjedhin Gjykatës profesionist por janë në shërbim te klientelizmit të tyre partiak.
“Kërkojmë që ky Këshill të krijohet njëjtë si në vendet e shteteve të BE-së dhe jo anëtarët e saj ti zgjedh dhe ti propozoj kuvendi I RM-së dhe Kryetari i shtetit siç ka qenë rasti deri tani.

Kërkojmë nga ambasada e SHBA-ve në Shkup dhe nga Zyra e BE-së, që seriozisht t’i marrin parasysh vërejtjet tona për zgjedhjen e gjykatësve partiakë, si dhe nepotizmin familjar, në të kundërtën, qytetarët e Maqedonisë, me të drejtë nuk do t’i besojnë sistemit të drejtësisë në këtë shtet”, theksoi Bexheti.

Loading...