Ismail Bilalli
Manifestimi ,,Nëntori me KumanovART”
Publiku shqiptar kumanovar tregoi se e do artin dhe kulturën që është një ushqim i domosdodhëm për çdo njeri. Ky manifestim për një çast e begatoi shpirtin tonë me të bukurën dhe na ndau nga e shëmtuara (nga lajmet që janë shumë pak të vërteta, e më shumë të gënjeshtërta, nga telenovelat televizive të cilat zgjasin me vazhdime edhe deri në pesë vjet, nga përditshmëria jonë e zymtë dhe e pashpresë). Kur pashë një masë të madhe njerëzish para dyerve të hyrjes së sallës ku do të mbahej manifestimi i cili i ngjante një dallgë të madhe oqeani u emocionova. Ishte një dallgë e qetë, ishte një publik i mrekullueshëm dhe dinjitoz i cili sikur kërkonte shpëtim, kërkonte për të shpëtuar nga dikush e nga diçka që po na e zë frymën. Kërkonin shpëtim nga shpëtimtari. E shpëtimtari është arti, është e bukura. Kërkonin që arti t’i shpëtonte. Dhe këtë organizatorët si duket nuk e kishin paraparë, ishte diçka e papritur, ishte kjo një uri e madhe e njerëzve për art. Kur në fytyrat e organizatorëve (Këshillit iniciativ – kështu dëshironin ta quanin veten, pa pasur për qëllim dhe synim që të paraqitet ndonjëri më i rëndësishëm se tjetri) filloi të paraqitet shqetësimi e paniku se si do të veprohej me atë masë të madhe njerëzish që nuk do t’i zinte salla, në ndihmë ju vjen vet mrekullia e publikut, ata të qetë hynë dhe ashtu, kush si mundi (dikush i ulur e dikush në këmbë) i zënë vendet dhe përcjellin programin e manifestimit me vëmendjen më të madhe dhe me një disiplinë të ndërgjegjshme, përcjellin pikat artistike dhe e përjetojnë artin, të bukurën. I duartrokasin të bukurës (artit)! Kjo është kulturë, është shije për art. Kjo është pasuri me të cilën duhet të krenohemi.

Është me rëndësi të thuhet se në themelet e atij organizimi madhështor dhe të atij suksesi ishte vënë një material shumë i fortë siç janë: Ideja e qëlluar, bashkëpunimi i mirëfilltë dhe i sinqertë i anëtarëve të Këshillit nismëtar, përkushtimi, modestia, serioziteti dhe dëshira për t’i dhënë publikut diçka të bukur, përzgjedhja e pikave të programit, ekspozita me piktura dhe artistët e mrekullueshëm.

Organizimi doli i shkëlqyeshëm!

Mesazhi: Kur ke ide, kur bashkëpunimi është i sinqertë, kur punën e merr seriozisht e me përkushtim, kur bënë përzgjedhjen e pikave të programit, kur ke publik të mrekullueshëm mund të kesh edhe përkrahje morale e materiale dhe suksesi nuk do të mungojë.
-Kumanova e meriton dhe ka kapacitet për organizime të tilla!

Kështu e meriton 28 Nëntori!
Kështu e meriton publiku artdashës shqiptar kumanovar!

I lumtë Këshillit nismëtar!
Ju lumtë artistëve!
I lumtë publikut!

Loading...