Ka ndërruar jetë ditën e sotme në spital Genci Caci, 33 vjeç, i plagosur mbrëmjen e kaluar në qytetin e Durrësit, ku u vra edhe shtetasi Edison Harizaj.

Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e vona të së martës në zonën e unazës së plazhit, në Durrës. Harizaj është pronar i kompleksit “Oslo” në Vlorë dhe njihet si person me precedentë penalë dhe ka qenë i dënuar nga drejtësia shqiptare për një vrasje dhe plagosje në vitin 1999 në Vlorë.

Emri i Harizajt ka dalë disa herë gjatë hetimeve për zbardhjen e ngjarjeve të rënda kriminale, përfshirë vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, apo zhdukjen e Albano Xhaferrit në Vlorë, si dhe vendosje gjobash ndaj biznesmenëve të ndryshëm në vend, por asnjëherë nuk u ndalua për to.

Ai njihet si mik i Emiljano Shullazit dhe në vitin 2012 të dy janë ndaluar nga policia, ku u gjetën me armë pa leje.

Pista paraprake e ngritur nga grupi hetimor për këtë ngjarje është ajo e hakmarrjes. Nga kqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se autorët kanë qenë në dijeni të lëvizjes së Harizajt dhe Cacës që po lëviznin me mjetin tip Audi dhe u kanë dalë përballë duke lëvizur kundravajtje, në kahun e kundërt të rrugës.
Menjëherë pas ngjarjes dhe kontrolleve të policisë për gjetjen e kapjen e autorëve, u gjet vetëm një mjet i djegur plotësisht pranë varrezave të fshatit Shënavlash, që dyshohet se është përdorur nga autorët. /Top Channel/

Loading...