Autoritetet në Kosovë përshëndesin arritjen e marrëveshjes për emrin e Maqedonisë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nëpërmjet faqes së tij në “Facebook” tha se në emër të institucioneve dhe popullit të Kosovës mirëpret marrëveshjen për çështjen e emrit në mes të Maqedonisë dhe Greqisë.

“Ky është një lajm i mirë për të dy vendet dhe për rrugën e Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së. Është një mundësi e re për të forcuar edhe më shumë paqen dhe qëndrueshmërinë në tërë rajonin tonë”.

Edhe kryeministri Ramush Haradinaj tha se arritja e marrëveshjes është historike.

“Udhëheqësit e të dyja vendeve u treguan të vendosur dhe vizionar për të kontribuar në përmbylljen e një çështjeje të hapur të Ballkanit Perëndimor. Çdo lajm i mirë nga rajoni ynë, na përafron të gjithëve me strukturat dhe vlerat Euro-Atlantike të cilat bashkërisht i synojmë”, thuhet në deklaratën e kryeministri Haradinaj i cili bëri thirrje që në këtë frymë konstruktive të përmbyllen të gjitha temat tjera historike të mbetura hapur nga e kaluara në Ballkan.

Ndërsa, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj tha se “marrëveshja përbën zgjidhjen e njërës nga çështjet më të rëndësishme të Ballkanit”, duke nënvizuar që tashmë duhet të arrihet marrëveshja përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë si dhe të bëhet funksionalizimi i shtetit në Bosnjë.

(BalkanWeb)

Loading...