Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski, ka udhëtuar në Kosovë për t’i uruar homologut të tij të ri, Berat Rukiqit, ardhjen në krye të Odës Ekonomike të Kosovës. Azeski madje edhe i kishte sjellë Rukiqit edhe një dhuratë simbolike, por ajo që ishte e pazakontë për një ngjarje të këtillë, ishte lokacioni ku u organizua eventi. Zyrtarët e odave ekonomike zgjodhën që këtë takim ta realizojnë në afërsi të fshatin Doganaj, në një pikë punimi në autostradën Shkup-Prishtinë, duke përçuar mesazhin mbi rëndësinë e madhe që kjo autostradë ka mbi bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se punimet në autostradë po përparojnë shumë shpejt nga ana kosovare, duke theksuar se beson që ato do të përfundojnë deri në fund të këtij viti.

BERAT RUKIQI, KRYETAR I ODËS EKONOMIKE TË KOSOVËS

“Mesazhi që ju dërgohet jo vetëm qeverive përkatëse, por edhe vendeve tjera të rajonit, që përveç pjesës që ne po e bëjmë në eliminimin e barrierave të natyrës tregtare, duhen shumë më shumë investime në infrastrukturë. Për të qenë korrekt, Qeveria e Kosovës ka bërë një punë të mirë sa i përket infrastrukturës. Por për të qenë pjesë e korridoreve të rëndësishme duhet që në të dyja anët të kryhet puna, prandaj është edhe një kërkesë për Qeverinë e Maqedonisë që sa më shpejtë të kryejë pjesën e vetë”

Ritmin e punimeve në pjesën kosovare të autostradës e përshëndeti edhe Branko Azeski, kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë. Ai tha se me këto punime, fjalët janë shndërruar në vepra, ndërsa shtoi se autostrada e përfunduar do të mundësonte që shkëmbimi aktual tregtar prej rreth 300 milionë eurove të dyfishohet në 5 vitet e ardhshme.

BRANKO AZESKI, KRYETAR I ODËS EKONOMIKE TË MAQEDONISË

“Po të kishim qëndruar këtu para 10 vitesh, askush nuk do të besonte se kjo do të ishte rruga për autostradën e re drejt Maqedonisë. Por kjo tani është realitet. Autostrada ka ardhur deri këtu në afërsi të kufirit dhe janë vendosur themelet që puna të përfundohet deri në fund të vitit. Kur një shtet që ka 10 vjet paravërsi, bën atë që Republika e Kosovës e ka bërë sa i përket infrastrukturës, kjo është për respekt dhe për t’u përshundetur. Ju premtoj që para qeverisë sime do të angazhohem që të shkurtojmë sa më shumë afatin e ndërtimit të pjesës sonë të autostradës“

Azeski theksoi se bashkëpunimi rajonal është bazamenti i përparimit ekonomik, duke theksuar se nuk është e logjikshme që të kemi bashkëpunim më të mirë ekonomik me vendet që janë shumë kilometra larg. Afaristët gjithashtu u apeluan politikanëve që të përshpejtojnë proceset integruese, duke theksuar se nëse politika nuk mundet ta ndihmojnë biznesin, të paktën të mos i bëhet pengesë.

Loading...