Gjithsej 288 mesazhe SMS u lexuan sot në seancë për autostradat kineze, gjegjësisht për rastin “Trajektorja”. PSP-ja prezantimin e mesazheve si dëshmi e ndau në tre pjesë. Në të tria, rolin kryesor e kishte ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski. 103 mesazhet e para që janë pjesë e dëshmive të PSP-së janë mes Janakieskit dhe ministrit të atëhershëm të financave, Zoran Stavreski. Pikërisht Stavrevski në komunikim me Janakieskin reagon në injorimin e kompanisë së dytë kineze të interesuar për ndërtimin e seksioneve Kërçovë – Ohër dhe Miladinovc – Shtip.

Nuk ka as shumë e as emër të kompanisë. Nëse nuk ka shumë, nuk ka as aplikim. Nuk mundesh kështu të kurdisësh njerëz. Nuk mundet njëri të negociojë, dhe një tjetër të kurdiset. Është turp- Stavreski SMS për Janakieskin.

Askush, askënd nuk e kurdis. Kur do t’i kem shumat e sakta, do t’i dërgoj. Nuk është mirë të mendosh se po të kurdis ty- Janakieski SMS për Stavreskin.

Në shkëmbimin e mesazheve, ministrat e atëhershëm shkruajnë se duhet të bisedojnë me kryeministrin Nikola Gruevski rreth përzgjedhjes së kompanive të Maqedonisë që do të punojnë në rrugët. Janakieski gjithashtu ka shkëmbyer mesazhe me Sekretarin e Përgjithshëm të atëhershëm të Qeverisë, Kiril Bozhinovski. Para leximit të SMS mesazheve të pandehurve në gjykatë gjatë muajve të fundit u janë lëshuar mbi 300 biseda të përgjuara. Sipas PSP-së, ndonëse kishte pasur një ofertë të dytë më të lirë, për gati 5 milion euro, të pandehurit e kanë injoruar dhe e kanë favorizuar “Sinehydro-n”. Ligji për prokurimin publik është anashkaluar dhe dëmtimi i buxhetit me marrëveshjen direkte me firmën kineze është mbi 155 milionë euro. Në rastin “trajektorja” akuzohen katër persona. Vlladimir Peshevski, Mile Janakieski dhe ish-drejtori i Agjencisë për Rrugët Ljupço Georgievski për shpërdorim të pozitës zyrtare, ndërsa ish-kryeministri Gruevski është akuzuar për marrjen e një shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm.

Loading...