Avokatë shqiptarë: Po diskriminohemi nga Oda e Avokatëve

Avokatët shqiptarë ndjehen të diskriminuar nga Oda e Avokatëve të Maqedonisë. Në konferencë për media, disa nga avokatët thanë se diskriminimi etnik në Odën e Avokatëve është tepër i madh, por se edhe kuvendi i mbajtur është organizuar me shumë padrejtësi. Sipas avokatit Naser Raufi, prej 272 delegatëve të pranishëm në Kuvend, janë zgjedhur vetëm shtatë shqiptarë, edhe pse, siç nënvizoi, numri i avokatëve shqiptarë në vend sillet prej 15 deri në 20 për qind. Avokati Raufi tha se nga qytetet më të mëdha shqiptare nuk ka asnjë përfaqësues shqiptar të zgjedhur.

NASER RAUFI, AVOKAT: “Kjo nuk do të mund kështu të kalojë. Ne si avokat shqiptarë do të jemi të detyruar për të marrë masa radikale për t’u rregulluar kjo padrejtësi. Si për shembull që të formojmë edhe ne një odë paralele që kjo përqindje të jetë më korrekte ashtu siç duhet. Si ilustrim themi që nga qyteti i Tetovës nuk ka asnjë praktikisht në udhëheqësinë e Odës së Avokatëve, nuk ka as nga Struga, as nga Dibra, ka vetëm një përfaqësues nga Gostivari që është në anëtarësi dhe në udhëheqësi, do të thotë një udhëheqësi që ka një numër prej 50 anëtarëve, do të thotë që ky numër nuk është as 0.5 për qind”.

Qëndrimet e avokatit Naser Raufi i mbështetën edhe avokatët, Agron Halimi dhe Asmir Alispahiq. Avokati Halimi madje tha se edhe pse paguan anëtarësi, ai nuk është informuar aspak për mbajtjen e Kuvendit. Ai tha se puna e Odës së avokatëve është jotransparente dhe se duhet të gjendet mënyrë për inkuadrimin e shqiptarëve në këtë institucion të pavarur të avokatëve.

AGRON HALIMI, AVOKAT: “Në këtë drejtim kisha thënë se ne si avokatë nuk kemi asnjë informatë deri më tani. Unë si avokat nuk kam pranuar asnjë informatë se si shkon zgjedhja kush janë anëtarët e propozuar, kur do të mbahet e kështu me radhë. Do të thotë ne paguajmë anëtarësi ashtu siç duhet por asnjë informatë në lidhje me aktivitetet e Odës së avokatëve nuk kemi”.

Ndërsa, avokati Asmir Alispahiq, nënvizon se si pjesëmarrës në Kuvendin e 73-të, ka vërejtur shumë lëshime në mënyrën e numërimit të votave dhe propozimeve për zgjedhje të anëtarëve të Bordit Drejtues. Alispahiq nënvizon se duhet të vendoset votim por edhe numërim elektronik gjatë zgjedhjes së kryetarit dhe organeve drejtuese të Odës së Avokatëve.

ASMIR ALISPAHIQ, AVOKAT: “Po ashtu mendoj se mungonte dhe kishte lëshime për zgjedhjen dhe delegimin e zgjedhjes së delegatëve nga bashkësitë e avokatëve dhe në këtë pjesë apeloj të mendojmë për ndryshim të zgjidhjes më të sofistikuara të statusit dhe të votohen në rrugë elektronike. Mënyra se si u zhvillua shpejtë votimi dhe numërim erdhi deri tek ky reagim i avokatëve”

Avokatët Naser Raufi, Agron Halimi dhe Asmir Alispahiq thanë se qëndrimet e tyre të cilat i shprehën sot, janë qëndrime edhe të më shumë kolegëve që janë në qytete tjera në Maqedoni dhe që u përkasin etniteteve të ndryshme. Mefail Ismaili /SHENJA/

Loading...