Azem Syla është thirrur për gjykim për herë të parë nga Gjykata në cilësinë e të akuzuarit për një seri veprash penale që përfshijnë krimin e organizuar, shpëlarjen e parave e vepra tjera që lidhen me keqpërdorime të shumë hektarëve tokë të shtetit.

Seanca e parë fillestare është caktuar për 12 dhe 13 dhjetor të këtij viti.

Caktimin e seancës e ka konfirmuar avokati i tij, Besnik Berisha i angazhuar këto ditë si mbrojtës i Azem Sylës.

Prokuroria pretendon se bazuar në rezultatet hetimore të deritashme, deputeti Azem Syla, ka organizuar, i financuar dhe mbikëqyrur një grup kriminal që ka keqpërdorur pronat.

Syla, si liderë i akuzuar i një grupi kriminal akuzohet se ka fituar pronësi në mënyrë të paligjshme të dhjetëra hektarëve tokë të shtetit në vlerë mbi 30 milion euro.

Grupi pretendohet se ka nisur veprimtarinë që nga viti 2006.

Prokuroria pretendon se ngastrat e tokës, të përvetësuara në mënyrë të paligjshme, dekada më parë ishin shpronësuar nga prona private dhe ishin bërë të shtetit. KBI Kosova Export, menaxhonte me to, transmeton insajderi.

Pas luftës, këto prona në mënyrë të paligjshme – me vendime gjyqësore të paligjshme dhe me dokumente fals, janë bartur në emra të pronarëve të vjetër. Mirëpo, ata pronarë nuk kanë ditur fare për këtë. Në këtë mënyrë, pronat janë shitur pronarëve të rinj shqiptarë.

Pronarët e vjetër janë kryesisht serbë, të cilët kanë ikur nga Kosova pas luftës.

Së bashku me Sylën akuzohen edhe shoferi i tij, Arton Vila, kushëriri Shaban Syla, dhëndëri i tij, Shpresim Uka, Fahredin Gashi, Driton Hajdari, ish-kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës, Nuhi Uka dhe shumë tjerë. Shumë prej të akuzuarve kryesor në këtë rast, janë të dënuar për krime të ndryshme përfshirë vrasjet, si pjesë e grupit të Nazim Bllacës.

Syla, ndërkohë ka ndërruar avokatin e deritashëm. Ai ka hequr dorë nga Tomë Gashi, ish-këshilltar i Hashim Thaçit, për ta angazhuar Besnik Berishën, këshilltar i kryeministrit, Isa Mustafa.

Loading...