Babagjyshi ndërron pol, ngrohja globale e shtyn në jug

Po bëhet kaq ngrohtë, sa Babagjyshi i Vitit të Ri do të zhvendoset në Polin e Jugut!
Agjensia qeveritare kanadeze “Policy Horizons Canada” ka përdorur humorin për të evidentuar edhe një herë atë që është kthyer në një problem të madh të kohës, ndryshimet klimaterike.

Falë rritjes së temperaturave, shkrirjes së shpejtë të akullit në Arktik dhe shtimit të operacioneve njerëzore në veri, Santa Klausi ka nënshkruar një kontratë me komunitetin ndërkombëtar për zhvendosjen e fshatit të tij në një zonë ekskluzive të Polit të Jugut, thuhet në faqen e saj, transmeton Top Channel.

Postimi ishte një prej artikujve kryesorë mbi temën e festave që agjensia publikoi përpara nisjes së sezonit festiv dhe rezultoi mjaft popullor. Zhvendosja e Babagjyshit, thuhej aty, shënon të parën herë që komuniteti global bie dakord me një përcaktim të përbashkët ligjor të ndryshimeve të klimës.

Një pjesë e aktivistëve ambientalistë pretendojnë se miliona vetë anembanë botës mund të bëhen në të ardhmen e afërt viktima të ndryshimeve të klimës të shkaktuara nga njeriu, çka do t’i detyronte të linin vendin e tyre të lindjes për t’u sistemuar diku gjetkë.

Figurën e Santa Klausit e përjetësoi karikaturisti gjermano-amerikan Thomas Nast, me një ilustrim në kopertinën e revistës “Harper’s Weekly” 3 janarin e vitit 1863 e mendohet se dhe historia e Santa Klausit që jeton në Polin e Veriut, mund të ketë qenë një shpikje e tij.

Loading...