“Thuaj: namazi im, edhe kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e Botëve” (El-En’am, 162)

Kaloi një festë fetare që i kapërcen të gjitha përmasat ekzistenciale – kurbani në emër të Zotit. Nuk është turp të mos e kuptojmë rëndësinë e tij, flijimin e fëmijës/Pejgamber, në emër të Zotit, por është turp sipas përmasës tonë njerëzore që të bëjmë keqpërdorimin e këtij momenti shumë të rëndësishëm, para të cilit gjithçka hesht, përndryshe nuk mund t’i shpëtojmë çmendurisë. Me qenë se natyra e Zotit është se Ai nuk është i ngjashëm me askënd, detyrimisht duhet të vijmë tek ajo se ne jemi hiçgjë, për të mundur të bartemi tek e njëjta ekzistencë që Ai vetë është. Nëse unë sipas kësaj vij deri aty që veten ta formësoj në hiçgjë dhe në vete hiçgjë të mos formësoj, si dhe ta nxjerr jashtë gjithçka që është në mua, atëherë mund të bartem në ekzistencën e pastër të Zotit, e ajo është ekzistenca e shpirtit. Këtu duhet përjashtuar gjithçka që në çfarëdo mënyre është përngjasim.
Nëse bazohemi në thënien universale mistike: Zoti është një ekzistencë – mund të themi se kjo nuk është e vërtetë: Ai është ekzistencë mbiekzistenciale dhe “hiçgjë“ mbiekzistenciale! Më e bukura që njeriu mund ta shprehë për Zotin qëndron në atë se ai nga urtësia e pasurisë së brendshme mund të heshtë. Prandaj, hesht dhe mos e hap gojën për Zotin, ngaqë sapo të hapësh gojën për Të, ti gënjen, bën mëkat. Nëse dëshiron të jesh i pamëkat dhe i përsosur, mos e hap gojën për Zotin! Për Zotin as mos dëshiro të njohësh diçka, ngaqë Zoti është mbi çdo njohje. Një i urtë thotë: Sikur ta kisha unë Zotin që do të mund ta njihja, unë atë kurrë më nuk do ta konsideroja për Zot! Nëse megjithatë njeh diçka për Të: asgjë nga ajo nuk është Ai, ndaj me atë që ke njohur diçka për Të ti arrin në mosnjohje!
Në këtë shkrim nuk dua të flas për atë që duhet të hesht, por për atë që nuk guxoj të hesht, e ajo është e jashtmja e kësaj që u tha më sipër: pra, ne si pranues të urdhrit të Zotit ku jemi dhe si jemi! Fenomeni Shpallje dhe fenomeni besim, pa marrë parasysh peshën e veçantë që e kanë, janë bërë shqetësues që nuk lënë asgjë as në të kaluarën, e as në të ardhmen. Pra, është një shqetësim të cilit dua t’i përgjigjem, edhe pse nuk jam pyetur për të, e ajo është raporti i besimtarit përballë Fjalës së Zotit, ose dukuria e futjes së formave “simfonike” dhe “koncertale” në “sallat” e lutjes.

Lutje apo koncert?!

Edhe pse nuk është e re, kjo që është duke u paraqitur, megjithatë është shqetësuese; shqetësuese është ngaqë ajo bëhet e kaluar, ndërsa e kaluara dëshmon të ardhmen tonë, domethënë ne kemi një të ardhme të dobët, të ngjyrosur me ngjyrën e primitivizmit dhe humbjes së arsyes, pra humbjes së vetvetes. Në kohërat më “primitive”, njerëzit janë munduar t’i mbrojnë, t’i ruajnë vendet e lutjes, ato skuta të shenjta, po si bleta që e ruan me kujdes hierarkinë e saj dhe kosheren e mjaltit, duke u kujdesur në veçanti se ku, si dhe pse i duhet një vend i veçantë. Kështu, vendet e lutjes janë shndërruar në vende kulti, në “mit” me një energji të pashtershme, ndaj meqenëse mendja ka qenë plotësisht e ndërgjegjshme se është hiçgjë, ajo ka heshtur, i është nënshtruar dhe ka treguar respekt ndaj asaj skute. Të gjithë pejgamberët e Zotit kur kanë dëgjuar Fjalën e Zotit, kanë qenë të përgatitur për ta dëgjuar dhe pranuar atë, dhe janë detyruar ta sakrifikojnë arsyen dhe forcën fizike që të jenë në gjendje ta pranojnë dhe ta përjetojnë lezetin e Fjalës së Zotit. Pejgamberit të muslimanëve iu deshën vite të tëra të strehohej në shpellën Hira, jo pse e pat urdhëruar Zoti, por për shkak se arsyeja ia arsyetonte të bënte një kërkim të tillë. Mençuria e thellë e tij njerëzore e gjeti një vend, një skutë, një shpellë, larg gjithçkaje dhe mbi gjithçka, ku me një pastërti shpirtërore dhe mendore dhe me një përgatitje psikike e dëgjoi, e pranoi dhe u frikësua nga pesha e Fjalës së Zotit – kelamullah.
Nuk jam duke bërë gabim kur them: me arsyen njerëzore të Pejgamberit, sepse këtu qëndron problemi ynë; ne përpiqemi që Islamin ta rregullojmë siç e rregullon Ai që nuk rregullohet, Ai që kuptohet në heshtje, Ai që është mbi asgjënë, edhe si asgjë, edhe si gjithçka. Dhe ne këtë si duket e bëjmë qëllimisht, duke e mashtruar veten, duke e harruar përgjegjësinë tonë se si ne e pranojmë dhe si duhet ta praktikojmë dhuratën e Zotit në formë të Fjalës, në formë të shkronjave dhe në formë të lutjes. Të gjitha këto ne i bëjmë jashtë një përmase edhe primitive. Është faj i madh që ne të kaluarën e përjetojmë si ardhmëri, kurse harrojmë se e kaluara është filozofi e veçantë dhe shumë më e rëndë se e ardhmja. Ne, brezi ynë, e kaluam komunizmin dhe nuk e kuptuam kohën dhe sfidat e asaj kohe; u munduam ta islamizojmë komunizmin dhe anasjelltas. Si duket, edhe këtë kohë post-komuniste fare nuk jemi duke e kuptuar. Ku qëndron faji?
Faji qëndron në atë se ne nuk kuptojmë, nuk dëshirojmë të kuptojmë, nuk dëshirojmë të pyesim, nuk dëshirojmë të bëhemi diçka; jemi të rrethuar me faje të ndryshme që askush nuk i merr përsipër. Hasha, shpeshherë mundohemi që këto faje t’ia hedhim Zotit. Fajin se lutjet jemi duke i bërë dhe nuk jemi duke përjetuar asgjë nga lutjet; kush është fajtor për këtë?
Në kohën e komunizmit nuk kishim “të drejtë” t’i festonim festat fetare, ato ishin të ndaluara. Por, edhe xhamitë ishin të zbrazëta, me një numër shumë të vogël besimtarësh. Kishte vizita familjare dhe vizita shoqërore ku njëri-tjetrit i urohej festa e fesë, flitej me zë të ulët, me edukatë, besimtarët mundoheshin ta përjetonin dhimbjen e njëri-tjetrit, kishin kujdes ndaj xhamisë, nuk lejohej që dikush të hynte pa e pasur kapuçin mbi kokë, ligjëratat ishin të shkurtra dhe të përshkuara me teologji të thellë dhe të cekët, të ngjyrosura me “bidate”, “të lezetshme”, por jo aq të dëmshme sa këto të kohës sonë. Për një gjë të tillë natyrisht se institucioni fetar ka përgjegjësi të lartë; institucioni fetar nuk është i thirrur ta mbrojë Zotin, i Cili është i mbrojtur, por është i thirrur ta mbrojë kulturën dhe “të krijojë” një kulturë të pranimit dhe praktikimit të fesë; ai nuk është i thirrur as ta racionalizojë fenë, ta shndërrojë në fushë eksperimentimi, që për fat të keq është duke na ndodhur neve. Shikoni vetëm bisedat fetare se të çfarë niveli janë, cila terminologji përdoret; mendojmë se nëse eventualisht do t’i hedhim disa terma të thellë, “të pakuptimtë”, me to do të ngrihet niveli i bisedës për fenë. Unë do të thosha jo! Ajo bëhet me qëllim që të lartësohemi ne vetë, e jo ajo për të cilën flasim. Thjesht, feja është qetësia, heshtja, lutja. Për shembull, pse nuk pyetemi se në kohën e dritës, ditës, namazet falen në heshtje? Kurse në kohën e heshtjes, errësirës, namazet falen me zë, që ka mundësi të bëhen edhe pa zë. Universaliteti i tyre është – heshtja! A nuk jemi duke e parë se xhamitë tona janë shndërruar vetëm në zhurmë, duke filluar që nga ezanet: në një rreth shumë të ngushtë pesë xhami me altoparlantë pa njerëz janë duke na frikësuar; disa herë edhe fëmijët qajnë nga zhurma e zhurmshme, e dhimbshme. Ata akoma nuk na kanë pyetur pse, por kur do të na pyesin, si do t’iu përgjigjemi ne?
Këtë Bajram ajo që më bëri të irritohem shumë dhe ta përjetoj një turp dhe një faj, më erdhi nga disa “shokë” të mi, kur pashë se brenda në xhami e kanë marrë rolin e dirigjentit. Po ju them me bindje se diçka të tillë nuk e përkrah asnjë kulturë e lartë dhe e lartësuar, duke filluar që nga koha e mitologjisë, e deri te koha e Turi Sinasë dhe Hirasë. Ajo pamje nuk ishte asgjë, përpos një “akrobaci cirku” moderne (por edhe tallje e vetë profesionit të dirigjentit, dhe sinqerisht shpresoj që të mos dalë dikush që ta padisë një shtrembërim të këtillë). A nuk pyetemi ne se çfarë dëshirojmë të arrijmë me këtë dhe ku jemi duke shkuar në lutjen, namazin tonë dhe me lutjen tonë, çka jemi duke bërë me brendësinë e xhamisë? Dhe pikërisht janë xhamitë, vendet që quhen mesaxhid Allah, vende ku i bëhet sexhde Allahut, ose me gjuhën e thjeshtë, ku balli dhe fytyra ngjiten për toke, e përqafojnë atë, e simbolizojnë modestinë iracionale, me të vetmin qëllim që ta përjetohet thellësia dhe lartësia e Fjalës së Zotit, të dëshmohet robërimi që është shpëtim për kohën dhe vendin. Këto ne nuk guxojmë t’i prishim, në to ne nuk guxojmë të ndërhyjmë, këto nuk janë çështje kirurgjike që ne mund t’i largojmë, sepse janë të panevojshme. Për këto ne duhet “të luftojmë” që ato t’i bëjmë të paprekshme. Për këto vende njerëzit kanë dhënë dhe japin jetën, kanë flijuar gjithçka, e kanë flijuar arsyen, pa marrë parasysh dobësitë e mëdha të ngjyrosura me politeizëm. Xhamitë duhet të jenë vende ku luftohet futurologjia e pashpirt dhe ruhet vendi i Shpalljes. Kurse ne këtyre vetëm për arsye të kravatave dhe çallëmit që kemi ua veshim rolin e sallave për koncerte. Sa mirë do të ishte që t’i ndalohej edhe televizionit të futet në xhami; nuk ka nevojë për diçka të tillë, aty është intimiteti ynë; aty ne kemi sexhde; aty ne jemi të thirrur të jemi të përgatitur që të lotojnë sytë, që shpirti të lëshohet për toke vetëm e vetëm që të edukohet. Kjo formë “e re”, bajate e festimit, nuk krijon asgjë tjetër, përpos turmës dhe zhurmës; me këtë nuk “krijohen” ibadetçinj të mirë, besimtarë të lehtë, besimtarë nga të cilët reflekton sinqeriteti, kultura e dëgjimit dhe heshtjes, po ashtu edhe sigurisë, ashtu siç i përshkruan edhe Kur’ani si ibadurrahman, robërit e të Mëshirshmit. Kjo mendësi është bërë e tepërt, e padurueshme dhe e panevojshme, dhe kokat teologjike, edhe institucionet e fesë, duhet të jenë të vetëdijshme se me mendje dhe diploma nuk bëhet asgjë, përpos asaj se ne do të jemi fajtorë që nesër të akuzohemi edhe si fetarë jo të mirë, dhe, ç’është më e keqja, si shkaktarë për formimin e njerëzve që krijojnë pasiguri dhe frikë. Këtu nuk e kam fjalën për Islamin e Allahut xh.sh., por flas për Islamin njerëzor, si emanet nga Allahu dhe duhet të kemi kujdes se çka jemi duke bërë me të. Ne jemi të thirrur ta prezantojmë dhe ta dëshmojmë Islamin në formën më të mirë, duke pasur parasysh të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen.

Këngë/ilahi

Në vazhdim të kësaj dukurie kemi edhe ahengjet familjare “fetare”. Po, ka mundësi dhe mbase duhet që çdo kulturë, çdo qytetërim t’i ketë dhe zhvillojë, t’i formësojë, edhe t’i “modernizojë” ahengjet, por kur është fjala për aspektin fetar, duhet të jemi tepër, tepër të kujdesshëm. Në këto “ahengje” shpeshherë shohim gjëra që nuk përputhen me përmbajtjen e tyre, pa u futur në paradoksalitetin e ahengjeve të tilla ku, për shembull, në një synetim në vend që të ketë valle, aty bëhet keqpërdorimi edhe i fesë; në vend që të këndohen ilahi me një përmase të dashurisë fetare, këndohet ilahi për varrin apo vdekjen. Në bisedë e sipër me disa shokë, shpreha habinë që kështu kanë filluar të bëhen edhe synetitë, edhe dasmat tona. Faktikisht një rast i tillë ku mora pjese, ishte shndërruar në një marketing të çuditshëm: kishte udhëheqës programi, shpreheshin falënderimet, tamam si nëpër sallat ku “doktorohet” ose “magjistrohet”. Dihej hoxha i madh, dihej hoxha i vogël, po nëse eventualisht kishte shumë hoxhallarë të mëdhenj, atëherë 3-4 prej tyre mbanin fjalim me ligjërata të ndryshme. Kjo nuk ishte shumë e thjeshtë, për diçka të tillë besimtari duhet të jetë i pasur, sepse tamam si këngëtarët që paguhen nëpër ahengje, edhe këta paguhen. Qenka krijuar një elitë “këngëtarësh” të ilahive, që paskan ithtarë të shumtë edhe nëpër mediat elektronike.
Po mundohem t’i largohem hapësirës së joseriozitetit, duke e përshkruar këtë gjendjen tonë, por kur është fjala për fenë dhe kulturën e saj, të gjithë duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Që të jesh fetar nuk është e domosdoshme të kesh titull shkencor, që të jesh fetar nuk është e domosdoshme t’i kesh disa diploma “origjinale”; që të jesh fetar nuk është e nevojshme të kesh kravata firmato, por është e domosdoshme të kesh përgjegjësi dhe të jesh njeri. Përgjegjësia është ajo që na bën halifetullahi fi’l-erd; e ne këtë fjalë të Zotit si e pranojmë dhe si e praktikojmë? Ne jemi të thirrur që Fjalën e Zotit ta përcjellim, ta praktikojmë në formën më të mirë, dhe nga ne të reflektojë insanllëku, njerëzia, besueshmëria, drejtësia, pastërtia, kultura, heshtja, dëgjimi, pranimi, refuzimi dhe të gjitha këto të jenë të edukuara, të ngjyrosura me Fjalën e Zotit, që për fat të keq na mungon. Si mund t’i kemi këto, kur ne e shndërrojmë fenë në zhurmë, në sallë koncertesh dhe në forma të këngëtarisë (pa pasur qëllim ofendimin). Sot, ne kemi probleme të mëdha nga besimtarët, të cilët janë të rrethuar me vagabondizëm, me arrogancë, ku ka humbur siguria familjare, e të mos flas për atë përgjegjësinë e fqinjësisë. Fajtor për një gjë të tillë është kjo “edukatë” shpirtërore që është shndërruar në marketing, e asgjë më shumë.
Pak më sipër thashë se e kaluara është shumë e rëndësishme, ngaqë ajo është e ardhmja. Dhe, ne, pa marrë parasysh se mendojmë dhe jemi të lirë të mendojmë për ardhmërinë, e kaluara është ajo që duhet ta kemi parasysh; e kaluara jonë është bërë një e kaluar shumë e frikshme, dhe si duket kjo është arsyeja që ne shpejt e harrojmë të kaluarën. Njerëzit e urtë kanë thënë: ata që nuk e kanë të kaluarën e mirë, si mund të presin një ardhmëri ndryshe? Një e kaluar që është e rrethuar dhe e ngjyrosur me papërgjegjësi dhe arkaizëm, bën që edhe vendet e shenjta ta humbasin shenjtërinë. Ne kështu jemi bërë, nuk është e mundur që të mos jemi të vetëdijshëm për diçka të tillë. Ky është problem racional. Nëse kështu vazhdojmë, ne nuk duhet të hidhërohemi nëse na thonë se nuk jemi të mençur, se nuk jemi të arsyeshëm. Kjo është e ngjashme sikur varrezat t’i bëjmë aeroporte, e aeroportet varreza. A është e mundur kjo? Jo! Por ja si duket është e mundur. Kam frikë se kemi humbur arsyen, dhe kemi harruar rëndësinë e të vërtetës, kuptimin e të vërtetës. Tashmë jo vetëm që nuk e kuptojmë vetveten, por as kafshët më nuk na kuptojnë.

Përfundim

Kemi dy terme në Kur’an që disi na thërrasin të mendojmë për çështjen në fjalë: njëri është ekmeltu, e tjetri etmemtu. Ekmeltu është term i cili nuk kufizohet në një kohë të caktuar, por çdo kohë e përjeton plotësimin, respektivisht pjekurinë, në këtë rast të Fjalës së Zotit. Kurse etmemtu as që lejon fare edhe të mendohet për ndërhyrje në këtë proces.
Njerëzia besoj se e kupton edhe njërin edhe termin tjetër në brendësinë e vet, pa marrë parasysh se ne përjetojmë vështirësi në përkufizimin e tyre; e përjetojmë shenjtërinë, shtrirjen që e prezantojnë këto terma. Ata të cilët janë të pajisur me dije, por që është e paktë (ve ma utitu mine’l ilmi il-la kalila), janë të detyruar të kujdesen për praktikimin dhe zbukurimin e fesë, e jo të lejohen momente që nuk mund të ekzistojnë brenda saj. Pse nuk munden? Sepse gjithçka fetare nuk mund të kuptohet më mirë se në heshtje, kurse heshtja, pa marrë parasysh peshën e saj, mbetet enigmë. Këtë enigmë ne nuk kemi fare leje ta keqpërdorim, siç ndodh fatkeqësisht. Vendi i sexhdes është qendra që lidh botët e papara, ai i kapërcen përmasat kohore, aty ka kënaqje, aty ka lezet dhe xhennet. Robi i Zotit dëshmon robërimin e lirisë më të madhe që ka mundësi ta përjetojë brendia e tij, sepse Zoti i thotë: Më kënaqe, ndaj u kënaqsh!
Pra, besimtarët “pa shije”, “pa lezet” nuk kanë vend në hapësirën e Shpalljes, ngaqë ajo dënon, nuk e lejon keqpërdorimin e saj. A nuk jemi dëshmitarë se si ne edhe rrugët e kalimtarëve jemi duke i zënë me sixhadetë tona, e në anën tjetër kemi të gjitha të këqijat, të ligat dhe rraskapitjet, duke filluar nga jeta pa estetikë dhe mendësia pa mend, dashuria pa dashuri e të mos flasim për mungesën e drejtësisë dhe sigurisë që kjo fe i ka garantuar. Për gjithë këtë mjafton interpretimi më i mirë që ia bëri Pejgamberi a.s. fesë me rastin e Haxhetu’l-Vedasë, kur pa marrë parasysh fuqinë fizike të besimtarëve, ai nuk lejoi keqpërdorimin e hapësirës së sexhdes dhe marketingun e fesë. E ne, “dijetarët” muslimanë, ku jemi? A thua jemi duke shkuar rrugës drejt shitblerjes së fesë; a thua do t’ia largojmë respektin, heshtjen, kulturën, edukatën, bukurinë, estetikën fesë që i përkasim? Sot për sot, ne nuk jemi duke ia lënë emanet fenë brezave të ardhshëm ashtu siç na e ka lënë neve Pejgamberi a.s. i jonë. Feja nuk duhet t’i nënshtrohet kohës, por koha duhet t’i nënshtrohet asaj.

Ismail Bardhi

25 gusht 2018

Loading...