Për të tretën ditë me radhë, rrugët e qytetit të Tetovës nuk gjejnë qetësi. Të premtën dhe të shtunën grupi i tifozëve i skuadrës së Teteksit, “Vojvodët”, që përbëhet nga maqedonas etnikë, gjatë festimit të 30 vjetorit të themelimit shkaktuan skandal ndëretnik duke brohoritur thirrje antishqiptare në Tetovë.

Përpos ofendimeve në baza etnike, të tipit “Do t’i mbysim dushmanët”, “Vdekje për shqiptarët”, festa e shfrenuar nuk kaloi pa incidente dhe përleshje fizike. Banorët e Tetovës ishin të revoltuar nga mosintervenimi i forcave policore. Madje, edhe Aleanca për Shqiptarët kërkoi që autoritetet të mos qëndrojnë duarkryq përballë situatës që mund të shkaktonte edhe incidente ndëretnike.

Në orët e mbrëmjes së të premtes, disa shqiptarë kanë reaguar dhe kanë sulmuar pjestarë të grupit “Vojvodët”, pas çka policia ka arrestuar disa persona, të cilët pasi janë marrë në pyetje, janë lënë të lirë.

Sot ishin “Ballistët”, tifozët e skuadrës së “Shkëndisë”, ata që gjatë marshimit për në stadium, ku ekipi i tyre duhej të zhvillonte ndeshjen futbollistike kundër “Shkupit”, ofenduan maqedonasit në bazë etnike. Me fishekzjerre dhe brohoritje, si dhe me përcjellje policore që është karakteristike për marshime të këtilla, ata vërshuar rrugët e Tetovës duke bërë tifo për ekipin e tyre, por edhe duke ofenduar maqedonasit.

Gjatë marshimit të “Ballistëve” para fillimit të ndeshjes futbollistike nuk janë shënuar incidente dhe nuk ka pasur intervenim të forcave policore. Kjo nuk është hera e parë që skuadrat rivale nga qyteti i Tetovës, të jenë në fokus të vëmendjes për gjëra që ndodhin jashtë fushës së futbollit. Incidente të këtilla ishin edhe më të shpeshta kur dy skuadrat garonin në ligën e parë të futbollit vendas, kur edhe duhej të përballeshin në mënyrë të drejtpërdrejtë. /SHENJA/

Loading...