“Ballafaqimi me mbeturinat e plastikës, një nga sfidat më të mëdha”

Sot në Shkup u mbajt ceremonia përmbyllëse për tuining – projektin për forcimin e kapaciteteve administrative për zbatimin e Direktivës kornizë për mbeturinat dhe direktivat për llojet e posaçme të mbeturinave, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë përmbyllëse morën pjesë zëvendës-ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor i Maqedonisë, Jani Makraduli, përfaqësuesja e Delegacionit të BE-së në Maqedoni, Virve Vimpari, ambasadori i Mbretërisë së Spanjës Emilio Lorenco Sera dhe Racher Malon, nga ambasada britanike në Shkup.

Zv/ministri Makraduli shprehu falënderim deri te BE-ja, Spanja dhe Britania e Madhe, ekspertët e të cilave më shumë se një vit kanë qenë pjesë e funksionit të përditshëm të Ministrisë.

Sipas Makradulit, përballja me mbeturinat e plastikës është një nga sfidat më të mëdha që krijon presion jo vetëm autoriteteve në Evropë, por edhe në mbarë botën.

“Këtë sfidë nuk duhet ta shikojmë si rrezik, përkundrazi si shans. Tek ne mbetet çka do të zgjedhim. Ose do ta mbledhim, riciklojmë dhe dikush do të fitojnë ndonjë denarë prej saj ose do ta lëmë nëpër lumenj, parqe. Aty dikush do ta gjejë dhe do ta hedhë në furrën e tij. E më pas do të emetojë më shumë grimcëza PM në ajër”, theksoi Makraduli

Metalet e rënda janë rrezik për shëndetin tonë

Virve Vimpari, nga Delegacioni i BE-së në Maqedoni, tha se shpreson se ky do të jetë një projekt i suksesshëm.

“Kam një histori të mirë të tuining projekteve në Ministrinë e Mjedisit Jetësor. Andaj kam të drejtë të shpresoj se edhe ky do të jetë një projekt i suksesshëm. Rregullativa evropiane për mjedis jetësor është një nga më të ndërlikuarat për implementim, prandaj kërkon resurse serioze”, tha Vimpari.

Ambasadori i Spanjës, Emilio Lorenzo Sera tha se i respekton të gjithë ekspertët që kanë punuar në këtë sferë, meqë bëhet fjalë për bakterie dhe metale të rënda, që janë rrezik për shëndetin e njerëzve.

“Po ato materiale të rënda, bakterie, përfundojnë në lumenj, detëra, e kjo do të thotë edhe tek peshqit. Ne qytetarët, nga ana tjetër mendojmë se peshqit janë ushqimi më i shëndetshëm”, theksoi Sera.

Loading...