Banka Botërore ka thënë se do të investojë gati 200 miliardë dollarë nga viti 2021 deri më 2025, në përpjekje e sipër për të ndihmuar në luftimin e ndryshimeve klimatike.

Banka e ka bërë të ditur këtë njoftim më 3 dhjetor, teksa ka nisur një konferencë e Kombeve të Bashkuara për Klimën në qytetin polak, Katovice, në kohën kur janë bërë paralajmërime se bota nuk është bërë mjfatueshëm për të zvogëluar gazrat serrë.

Në samitin me gati 200 delegatë nga më shumë se 200 vende të botës, Banka Botërore ka thënë se zotimi i saj synon të prezantojë një “ambicie të shtuar” për të luftuar ndryshimet klimatike dhe të dërgojë “një sinjal të rëndësishëm te komuniteti global për të bërë të njëjtën gjë”.

Konferenca e OKB-së, e njohur zyrtarisht si COP24 pritet të shqyrtojë rregullat për financimin dhe zbatimin e Marrëveshjes së vitit 2015 për Klimën, e cila parasheh mbajtjen e temperaturës së Tokës në mes të 1.5 deri në 2 gradë Celsisus deri në fund të shekullit.

Sipas paktit të Parisit, shtetet më të pasura që janë përgjegjëse për emitimin më të madh të gazrave serrë, pritet të ofrojnë më shumë fonde, ashtu që kombet tjera në zhvillim e sipër t’i përdorin për ta bërë ekonominë e tyre më favorshme për klimën.

Vendimi i presidentit amerikan, Donald Trump për t’u tërhequr nga Marrëveshja për Klimën pati rritur shqetësime se mund të ketë zvogëlime të fondeve, që janë të nevojshme për të reformuar industritë në shtetet e varfëra.

Mirëpo zotimi i Bankës Botërore tani shihet si siguri për vendet më të pambrojtura ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike.

Loading...