Një manita për të fundosur Realin e Madridit dhe për t’i treguar botës se Barcelona funksionon edhe pa Messin, ndryshe nga Reali i Madridit që pa Cristiano Ronaldon nuk është më e njëjta skuadër dhe i mungon një lider si portugezi në fushë. Fitore e madhe me shifrat 5-1 e Barcelonës në El Clacicon e parë pa Messin dhe CR7-ën pas 9 vitesh me skenën që ishte e gjitha për Luis Suarez. Me 3 një tregolësh El Pistolero vendosi fatet e një sfide të dominuar nga Barça dhe të cilën Reali e luajti vetëm në 15 minutat e para të pjesës së dytë. Lopetegui i besonte edhe njëherë tjetër Rafinhas për të zëvendësuar Messin. Goli i parë që zhbllokoi shifrat në minutën e 11-të, erdhi për meritë të treshes Jordi Alba-Suarez-Coutinho. Mbrojtësi i krahut të majtë pasoi në qëndër me Suarez që me një lëvizje mjeshtërore tërhoqi mbrojtësit rreth vetes mbrojtësit e Realit duke i dhënë mundësinë Coutinhos që i lirë brenda zone të realizonte me lehtësi golin e parë. Nuk vonoi shumë dhe me ndërhyrjen e VAR, Barcelona fitoi një 11-metërsh pasi Varane pengoi në zonë Suarezin.

Uruguiani nuk fali duke dyfishuar shifrat në minutën e 30-të. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë ndërkohë që fraksioni i dytë nisi me një Real të tjetërsuar. Marcelo me një lëvizje të bukur brenda zone i shpëtoi mbulimit të Pique duke mposhtur dhe Ter Stegen për të rihapur sfidën. Pak çaste më vonë fati nuk ishte me Los Blancos pasi Modric u ndal nga shtylla. Disa minuta më vonë Benzema humbi një rast të mirë me kokë dhe vetëm kaq sepse Reali i Madridit u fik sërish. Pas minutës së 65-të sfida ishte e gjitha nën kontrollin e Barçës. Në harkun e 12 minutave nga e 75-ta në të 87-ën blaugranat realizuan dhe 3 herë të tjera, 2 herë me Suarez dhe në fund goli i parë i Arturo Vidal me Barcelonën që fundosi përfundimisht Realin e Madridit. Një manita që përshpejton largimin e Julen Lopeteguit nga stoli i Los Blancos me ish trajnerin e Spanjës që tashmë pritet të shkarkohet nga momenti në moment pas kësaj humbjeje të rëndë. Me këtë fitore Barcelona rimori kreun e La Ligas me 21 pikë, 2 më shumë se Atletico dhe 7 më shumë se Reali i Madridit që si rrallëherë në dekadat e fundit pozicionohet në vendin e 9-të pas 10 javësh kampionat.

Loading...