Bardhi komenton dekoratën për kryetarin e BFI-së: Edhe Dekoruesi edhe i dekoruari bëjnë abuzim institucional të shqiptarëve

Teologu i njohur nga Shkupi, Ismail bardhi ka komentuar dekorimin e kryetarit të BFI-së Sulejman Rexhepi me titull „Kalorësi“ nga ana e presidentit shqiptar Ilir Meta.

„Për t’u prezantuar dhe dëshmuar se kush jemi, çdo forcë fizike dhe metafizike duhet bashkuar, dhe duhet kuptuar serioziteti i kohës, duhen krijuar mundësitë për një zhvillim më të fortë, më të plotësuar dhe më racional, që do të mund ta mbrojë vetveten ashtu siç duhet. Kjo nuk bëhet me abuzimet e institucioneve të shtetit, të cilat janë bërë “domosdoshmëri” tek ne. Për fat të keq, në këtë lojë marrin pjesë edhe figurat “fetare”, siç pamë para disa ditësh kur Sulejman Rexhepi dekorohet me urdhrin kalorësiak të Skënderbeut nga Ilir Meta. Edhe dekoruesi edhe i dekoruari bëjnë abuzim institucional të shqiptarëve. “I madhi” tallet me shtetin, e ky tjetri në vend që ta merrte dekoratën, duhej t’i thoshte: ju akoma dyshoni për kufijtë e shtetit, e i dhuroni territor dikujt, ndaj si mund të jepni dekorata shtetërore?!

E gjithë kjo që u tha më sipër, pa marrë parasysh “komandantëve” të shumtë dhe “trima” që i terrorizojnë fqinjët dhe që vriten me njëri-tjetrin pandërprerë, ma përkujtuan thënien nga viti 1997 të ministrit të brendshëm të Maqedonisë, i cili në pyetjen e një gazetari se a mendon se Maqedonia është e kërcënuar nga Shqipëria, përgjigjja e këtij ishte se ajo nuk ka mundësi t’i ruajë kufijtë e vet, e lëre me të kërcënojë dikë tjetër. E sot, e shohim se ajo që thoshin serbët kur i nisën luftërat që e shkatërruan ish-Jugosllavinë se: “aty ku ka edhe një varr serb është tokë serbe”, tani si duket po e vazhdojnë grekët“, shkruan Bardhi.

 

Loading...