Magjia e Enis Bardhit i ka dhënë dje fitoren Levantes kundër Getafes në fushën e kësaj të fundit. Futbollisti ynë realizoi një kryevepër nga gjuajtja prej 27 metra, duke mposhtur portierin vendës.

Bardhi pas golit të shkëlqyeshëm ka dhënë një intervistë për Lajm, ku ka rrëfyer për fitoren në terrenin e nxehtë të Getafes, supergolin e shënuar, pritjet në dy ndeshjet e reprezentacionit të Maqedonisë në Ligën e Kombeve dhe nëse do t’i shënonte gol edhe Real Madridit pas dy javësh.

Një fitore e vështirë në terrenin e Getafes, në të cilën vendosi kryevepra juaj. Sa jeni të kënaqur?
Bardhi: Normalisht se jam shumë i kënaqur për fitoren e arritur edhe tre pikët jashtë shtëpisë sonë. Ishte ndeshje shumë e vështirë me tempo shumë të lartë! Unë shpresoj që të vazhdojmë kështu edhe në ndeshjet e ardhshme.

Si e përjetuat golin?
Bardhi: Goli, është specialitet i im. Mirëpo, them se nuk është se kisha presion për gol, e dija se do të vijë. Me durim vijnë gjërat.

 

Tani ju presin dy ndeshje me Maqedoninë kundër Lihtenshtajnit në Shkup (13 tetor) dhe Armenisë në Erevan (16 tetor) në kuadrin e Ligës së Kombeve. Çka mund të presim?
Bardhi: Shpresojmë që gjithcka do të shkojë mirë! Shpresoj që të vazhdojë me këtë ritëm edhe me Maqedonine. Unë gjithmonë futem në lojë për të dhënë maksimumin për ekipin që të fitojë. Nëse vjen edhe goli normalisht do të isha edhe i kënaqur.

Dhe, në fund pas dy javësh rikthehet La Liga. Levante në ndeshjen e ardhshme luan me Realin. Madrilenët janë në krizë, a mund të presim gol të ri nga ju në Bernabeu?
Bardhi: Unë njëherë jam duke menduar për dy ndeshjet e reprezentacionit të Maqedonisë, e pastaj do të bëjmë planet tona kundër Realit. Normalisht ndeshja me Realin do të jetë shumë e rëndësishme, na pret ndeshje e vështirë atje. Sa për gol? Shpresoj të shënoj edhe kundër Realit në Bernabeu.

Loading...