Ligji për çështjen e mbetjeve ka shkaktuar mjaft polemika mes palëve. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar  sërish përmes një deklaratë për mediat.

Basha tha se Rama po i lë dorë të lirë interesave kriminale, duke u ndalur tek çështja e inceneratorëve, teksa foli me emra dhe theksoi se Edi Rama dhe Arben Ahmetaj qëndrojnë mbrapa ndërtimit të tyre.

DEKLARATA E PLOTE

Jam sot këtu për të denoncuar një aferë të tmerrshme kriminale dhe korruptive, për të cilën PD ka ngritur zërin prej vitesh. Sektori i plehrave dhe mbetjeve është një nga sektorët kryesorë ku Edi Rama ka dashur t’ju lërë dorë të lirë interesave kriminale. Paralel me projektin e kanabizimit të vendit, ka ecur me këtë projekt të kthimit të Shqipërisë në një kazan plehrash të Europës. E mbani mend të gjithë përpjekjen e tij për të kaluar ligjin për importin e mbetjeve, të cilin vetë e kundërshtoi kur ishte në opozitë. Dhe po kështu e mbani mend që ishin qytetarët dhe PD që e bënë të pamundur kalimin e këtij ligji.

Edhe pse është ndaluar zbatimi i ligjit për shkak të bashkimit të qytetarëve, për shkak të qëndrimit të qartë të opozitës, dhe të institucioneve të tjera, prapë Edi Rama po ecën me një strategji tjetër shkatërruese për vendin që është strategjia e inceneratorëve, e djegësve të financuar nga buxheti i shtetit.

Pse është shkatërruese? Në radhë të parë për njerëzit, pasi është një politikë që bie ndesh me çdo standard dhe normë europiane, dhe me politikat europiane të trajtimit të mbetjeve. Së dyti sepse është një politikë e rrezikshme për shëndetin publik, ndot ajrin, dhe prodhon mbetje të rrezikshme në fund të procesit.

Dhe së treti pasi nuk ndihmon në projektin apo industrinë e riciklimit, që ishte një nga pretekstet për miratimin e ligjit për mbetjet. Por mbi të gjitha projektet e inceneratorëve janë zbuluar si projekte dhe afera korruptive kriminale. Pse e themi këtë? Për momentin ka tre inceneratorë apo projekte për inceneratorë; ai i Elbasanit, ai i Fierit dhe ai i Tiranës. Mediat kanë zbuluar tashmë dhe kanë vënë dokumentet në dispozicion para publikut faktin se të treja kontrollohen nga i njëjti person, i cili shërben si figurinë për të fshehur pronarët e vërtetë.

Duke patur parasysh shkeljet skandaloze të ligjit në ndërtimin e këtyre tre inceneratorëve duket qartë se pronarët e vërtetë janë Arben Ahmetaj dhe Edi Rama, sepse vetëm këta të dy mund të kishin guximin që t’i jepnin 4.8 mln euro ndërtuesit të inceneratorit të Fierit, akoma pa filluar punë.

Vetëm këta mund të kishin guximin t’i jepnin 10 mln nga 11 mln euro që është buxheti i vitit, këtyre të treve, Fieri, Tirana dhe Elbasani. Në total sipas dokumenteve që ne disponojmë bëhet fjalë për 400 mln euro që do paguhen në 20 vite për ndërtimin e këtyre inceneratorëve dhe tarifat që do të paguajë taksapaguesi shqiptar. Shikoni çfarë po ndodh? Marrin privatin për të ndërtuar inceneratorët kundër strategjisë europiane të ndërtuar nga gjermanët, dhe bëjnë një Partneritet Publik Privat, ku privati nuk merr asnjë rrisk përsipër, përkundrazi merr lek nga buxheti i shtetit edhe kur nuk djeg plehra, siç është rasti i Fierit. Dhe e bëjnë këtë për një periudhë 10-vjeçare me një kosto prej 400 mln euro. Tani po përpiqen të bëjnë edhe një në Korçë, keni parë edhe njerëzit në Rrogozhinë që janë ngritur në protestë, por vetëm 40 mln euro në vit.

Këto para në vend që të shkojnë për shkollat, në vend që të shkojnë për spitale, po i jepen një privati, për të kryer një punë e cila ndot mjedisin, dhe prodhon mbetje të rrezikshme. Kjo është një aferë kriminale, kjo është një aferë mafioze, dhe thirrja ime është ndaj Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe prokurorisë të nisë menjëherë hetimin dhe të vërë pikat mbi “i”, për ata të cilët po dëmtojnë shtetin publik të shqiptarëve, nga njëra anë, dhe po grabisin fondet shtetërore, fondet e taksapaguesve shqiptarë nga ana tjetër. Kjo është një aferë e përmasave kriminale. Dhe është faqja tjetër e medaljes së kanabizimit të Shqipërisë. Me kanabizimin e Shqipërisë, Edi Rama eksporton drogë drejt Europës, ndërsa me inceneratorët importon mbetje. Dhe ndërkohë krijon një aferë ku përfundojnë 40 mln euro në vit në duart e një njeriu të vetëm, i cili natyrisht nuk është përfituesi i vërtetë, pas të cilit fshihen Edi Rama dhe Arben Ahmetaj.

Ndaj thirrja ime është për nisjen e menjëhershme të hetimeve për këtë skandal të rëndë që dëmton shëndetin e njerëzve, duke marrë lekët e shqiptarëve. Lekët që duhet të shkonin për spitale, për rrugë, shkolla. Por edhe këto po jepen me koncesion, ndërkohë që lekët që duhet të shkonin për këto, por shkojnë për inceneratorë që dëmtojnë shëndetin e shqiptarëve. Kjo është afera që dua të denoncoj sot. Ne kemi një dokumentacion të qartë, dhe në ditët e ardhshme specialistët tanë dhe drejtuesit politikë të komisioneve përkatëse do t’i bëjnë këto qëndrime tonat publike.

Loading...