Basha mesazh nga Shkodra: Krah qytetarëve në përballjen me bandat

Pas mbledhjeve të grupeve përkatëse parlamentare dhe mbledhjes së përbashkët mes partive opozitare, këto të fundit vendosën që të braktisin seancën e parë të stinës së re parlamentare.

Drejtuesit më të lartë të opozitës udhëtuan drejt Shkodrës, “për t’u mbledhur atje dhe për të qenë në krah të qytetarëve, kundër bandave kriminale”, ashtu siç e cilësuan liderët opozitarë.

Këtë mesazh kreu i Partisë Denmokratike, Lulzim Basha e ka përcjellë edhe mëngjesin e sotëm nëpërmjet llogarisë së tij zyrtare në Facebook, ku shpërndau edhe fotot nga takimi me kolegët opozitarë.

“Partia Demokratike dhe opozita do vazhdojnë të jenë në krah të qytetarëve në përballje me bandat në Shkodër, Elbasan, Durrës, Vlorë apo kudo ku ato qofshin! Bashkë do çlirojmë qeverisjen dhe vendin nga krimi! PA KOMPROMIS!”, shkroi Basha mëngjesin e sotëm në Facebook.

Shkodra është tronditur nga nëj sërë atentatesh mafioze gjatë muajve të fundit, të cilat thuajse të gjitha kanë mbetur të pazbardhura, ndërsa në qytet është krijuar nëj klimë e nderë tensioni.

Opozita ka akuzuar në mënyrë të vazhdueshme se këto akte kriminale po kryhen nga banda të caktuara, të lidhura me qeverinë dhe që mbrohen nga kjo e fundit. /TCH/

Loading...