Opinione

“Bashkëpunim i sinqertë” me Magjar Telekomin për më tepër korrupsion?

bashkepunim

Në kumtesën e Qeverisë për takimin e Kryeministrit Zaev  me përfaqësuesit e Dojçe Telekom dhe Magjar Telekom, mes tjerash, thuhet se “Dojçe Telekom është investitor i rëndësishëm në Republikën e Maqedonisë, me të cilin duhet të bashkëpunohet në mënyrë të sinqertë dhe të ndërtohet marrëdhënie profesionale”.

xhevdet-hajredini-300x216

Shkruan: Xhevdet Hajredini

Është e saktë që Dojçe Telekom, përmes kompanisë së saj “bijë”- Magjar Telekom, me vite të tëra është e pranishme në Republikën e Maqedonisë. Gjithashtu, është e saktë se edhe në të ardhmen duhet me sinqeritet të bashkëpunohet dhe të ndërtohet marrëdhënie profesionale, që është edhe në interesin e Republikës së Maqedonisë.

Mirëpo, me rastin e këtij takimi, opinioni në Republikën e Maqedonisë ka të drejtë të informohet nëse bashkëpunimi edhe deri tani ka qenë i sinqertë, pasi që është mirë e njohur se Dojçe Telekom dhe menaxherët e Magjar Telekom nga ana e Komisionit  për letra me vleftë dhe Gjyqi në Nju Jork, janë të gjykuar dhe të dënuar për shkak të ryshfetit ndaj funksionarëve përkatës shtetëror dhe politik të Republikës së Maqedonisë, me qëllim ta sigurojnë monopolin e kompanisë së tyre në tregun në Maqedoni, me çfarë janë të dëmtuar të gjithë qytetarët që kanë paguar shërbime shumë më të shtrenjta nga kjo kompani.

Duke marrë parasysh se gjatë viteve të kaluara, institucionet ligjore të Maqedonisë ishin plotësisht të robëruara nga pushteti ekzekutiv, organet përkatëse hetuese, as dëshironi dhe as kishin mundësinë t’i zbulojnë funksionarët e korruptuar të shtetit. Arsyeja për këtë mund të jetë edhe mundësia që  mes funksionarëve të korruptuar të ketë edhe të tillë që ende janë në pushtet. Në atë rast, nuk duhet të presim se do të kemi rezultat edhe pas implementimit të reformave në gjyqësor, sipas rekomandimeve të Rajnhard Pribe.

Nëse nuk është detyrim ligjor i prerë, korruptuesit t’i identifikojnë me emër dhe mbiemër – të korruptuarit, atëherë me siguri se  nuk është e ndaluar  dhe nuk është në kundërshtim me standardet e moralit afarist, që t’i kumtojnë publikisht, me çfarë, në interes të “bashkëpunimit të sinqertë” të ardhshëm, do t’i ndihmojnë orvatjet e Republikës së Maqedonisë në luftën kundër korrupsionit. Me siguri se askund nuk ka ligj me të cilin ndalohet zbardhja e krimit. Kjo mund të ndodh vetëm atëherë, dhe aty ku kriminelët ende janë në pushtet.

Imponohet edhe pyetja – nëse nga “sinqeriteti” i madh, menaxherët të dënuar të Magjar Telekomit  e mbajnë të fshehtë indentitetin e politikanëve të Maqedonisë të cilëve u kanë paguar më tepër milionë euro që ta sigurojnë monopolin në treg.

 

Ekzistojnë tregues seriozë se edhe Qeveria aktuale dëshiron të mbetet e pazbuluar kjo aferë skandaloze e korrupsionit, dhe të vjetërsohet lënda. Arsyet për këtë mundet vetëm të supozohen.

Nëse zotërinjtë menaxherë të Dojçe Telekomit dhe Magjar Telekomit, takimet me kryeministrin nuk i kanë shfrytëzuar që t’ia tregojnë emrat personave të cilave u kanë dhënë ryshfet dhe nëse këtë edhe vetë kryeministri nuk e kërkon nga ata, atëherë me të drejtë mund të dyshojmë në “bashkëpunimin e sinqertë” edhe në të ardhmen. Gjithashtu, për opinionin mbetet e paqartë se pse organet hetuese të shtetit, nuk kërkojnë nga përfaqësuesit e Magjar Telekomit të dëshmojnë se cilëve funksionarë u kanë dhënë ryshfet, njësoj  gjyqi në Nju Jork që ftoi dëshmitarë qytetarë nga Maqedonia, në lidhje me këtë aferë.

Nga ky takim del përfundimi se nëse kjo kompani nuk ndihmon të zbulohen bartësit e kësaj afere, nuk mund të bëhet fjalë për “bashkëpunim të sinqertë”.

Edhe rrogat jashtëzakonisht të larta edhe privilegjet tjera që u jepen anëtarëve të vendit të bordit drejtues të Telekomit, të cilët rekrutohen nga listat kadrovike të partive në pushtet, nuk janë pasqyrë e aftësive të tyre profesionale dhe angazhimeve psiko-fizike, por më tepër i ngjajnë një praktike korruptuese.

Obligimi i qeverive të vendeve nikoqire, nuk është vetëm të sigurojnë kushte sa më të volitshme për investitorët e huaj, por edhe t’i parandalojnë praktikat e tyre korruptuese që i dëmtojnë të gjithë qytetarët e shtetit.

Të ngjashme janë edhe rastet e kompanisë kineze “Sinehidro” dhe kompanisë greke “Aktor”, të angazhuara për ndërtimin e rrugëve. I tillë ishte edhe shembulli  me kompaninë tjetër kineze, që e ndërtoi HEC “Kozjak”.

Në fund, qytetarët e Maqedonisë duhet ta kenë të qartë: Të gjitha paratë që i pranojnë si ryshfet, kompanitë e huaja i marrin nga të gjithë ne, nënkuptohet, përmes “bashkëpunimit të sinqertë”.

Qeveria dhe Kryeministri duhet t’u japin mbështetje të plotë investitorëve të huaj, por jo edhe sjelljeve të tyre korruptuese, të ngjashme me “mbështetjen” e Gruevskit kur e dëgjojmë  se si e paralajmëron Janakieskin – “mos është shumë” provizioni prej 30 milionë euro, që ia jep kompania kineze gjatë nënshkrimit të marrëveshjeve për ndërtimin e rrugëve. Këto 30 milionë, megjithatë, më vonë do t’i paguajmë të gjithë ne, derisa i njëjti Gruevski, në të ardhmen do të vazhdojë me mbështetjen “tvrdokornive”  operistë, aktorë, regjisorë dhe profesoresha universitare, që ta mbrojë Maqedoninë nga Platforma e Tiranës e përkatësve të “ fisit të egër”.

Titulli është i redaksisë.

 

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Time limit is exhausted. Please reload CAPTCHA.

To Top