Bashkimi Evropian kyçet në fushatën e referendumit në Maqedoni

Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian janë përfshirë në fushatën për referendumin e 30 shtatorit, në të cilën qytetarët duhet të deklarohen për Marrëveshjen me Greqinë për zgjidhjen e problemit me emrin e shtetit. Drejtori i Drejtorisë për Zgjerim në Komisionin Evropian, Kristijan Danielson, ka marrë pjesë në Shkup në hapjen e takimeve me qytetar dhe përfaqësues të fushave të ndryshme, për t’i inkurajuar votuesit që të marrin pjesë në referendum dhe të votojnë për të ardhmen evropiane të Maqedonisë.

“Më 30 shtator qytetarët këtu do të bëjnë zgjedhjen e gjeneratave që t’i jep formë të ardhmes së këtij vendi. Do të ketë pasoja për gjeneratat e ardhshme. Mendoj se apeli ynë për secilin është që të ushtrojë të drejtën demokratike duke rrethuar në fletëvotim. Është një mundësi unike t’i jepni formë shoqërisë, në të cilën ju dëshironi të jetoni dhe t’i shihni familjet tuaja duke përparuar”, ka deklaruar Danielson.

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar tha ndërkohë se Marrëveshja me Greqinë aspak nuk cenon identitetin dhe gjuhën maqedonase, përkundrazi sipas tij, me këtë dokument maqedonishtja do të jetë gjuhë zyrtare e Bashkimit Evropian.

“Qëllimi jonë është që të dëgjojmë dhe të mirëkuptojmë brengosjet tuaja lidhur me procesin e Bashkimit Evropian. Duam t’i ndajnë përfitimet nga të qenurit vend anëtar, që të jeni të barabartë në familjen e zgjeruar evropiane, që gjuha e Bllazhe Konevskit, Mateja Matevskit dhe Lidija Dimovskit të jetë gjuhë zyrtare e Bashkimit Evropian, e përkthyer si asnjëherë më parë. Të jeni dëshmitar i interesit më të madh për kulturën e juaj, gjuhës dhe identitetit, që kjo të rezultojë me vetëbesim më të theksuar si komb”, ka deklaruar Zhbogar.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev tha se në fjalimin e tij se qytetarët e Maqedonisë si asnjëherë më parë janë të përcaktuar për të ardhmen evropian, andaj edhe beson se referendumi do të ketë një epilog pozitiv.

“Në referendum që pason do të bëjmë hapin e fundit që të përfundojmë ndërtimin e shtetit tonë sipas rregullave evropiane…Qytetarët e Maqedonisë kanë bërë zgjedhjen dhe ata janë krenarë me zgjedhjen që kanë bërë. Ata kanë zgjedhur të ardhmen, të ardhmen e Bashkimit Evropian, zgjedhje që i takon çdo qytetari të Bashkimit Evropian. Ne, qytetarët e Maqedonisë kemi zgjedhur Maqedoninë evropiane dhe Bashkimin Evropian, pasi është ngritur mbi vlerat në të cilat ne besojmë e të cilat edhe ne i praktikojmë”, ka deklaruar Zaev.

Derisa përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe të Qeverisë zhvillojnë fushatën për referendumin, opozita maqedonase nga ana tjetër ende nuk ka një qëndrim të qartë se do të ftojë për bojkot apo për të votuar kundër Marrëveshjes me Greqinë, të cilën e vlerëson të dëmshme për interesat kombëtare e shtetërore.

Partitë shqiptare i japim mbështetje referendumit, por opozita shqiptare që përfaqësohet nga Aleanca Shqiptare dhe një pjesë e Lëvizjes Besa, kërkojnë që pas referendumit apo në fazën e ndryshimeve kushtetuese, të parashihet edhe definimi i gjuhës shqipe, çështja e sovranitetit të shtetit dhe përfshirja e shqiptarëve në dokumentet e udhëtimit, pasi sipas zgjidhjes aktuale, shqiptarët në pasaporta dhe letërnjoftime do të trajtohen si maqedonas të Maqedonisë së Veriut, siç do të quhet vendi me Marrëveshjen me Greqinë./REL

Loading...