BDI dhe PDSH po bëhen gati për koalicion

NASER SELMANI

Para dy javësh një mik më tregoi se BDI dhe PDSH po bisedojnë për koalicion në zgjedhjet e 24 prillit. Pas debatit në TV 21 të liderit të Partisë demokratike të shqiptarëve, Menduh Thaçi, nuk ka dilem se marrëveshje në parim për koalicion mes BDI dhe PDSH do të ketë, po tashi mbetet të gjinden forma se si kjo çorbë e pashijshme politike tu servohet shqiptarëve.
Është shumë e kuptueshme që BDI dhe PDSH të jenë bashkë në zgjedhjet e pranverës sepse janë delegjitimuar në sytë e shqiptarëve. Nuk i kanë përfaqësuar denjësisht në pushtet dhe si opozitë në Parlament.
Këto dy parti do jenë bashkë jo sepse kjo është interes i shqiptarëve, por është nevojë e kryeministrit Nikola Gruevski, i cili në pushtet është ngritur dhe po vazhdon të qëndrojë aty falë PDSH dhe BDI. Gruevski nuk do rrezikojë në bllokun shqiptar të dalin forca politike jashtë kontrollit të regjimit. Gruevski e di se Ahmeti dhe Thaçi nuk ia turbullojnë ujin, janë të dëshmuar si besnik ndaj pushtetit të partive maqedone. Kur vihen në sprovë të zgjedhin në mes interesit të shqiptarëve apo interesave të ngushta individuale dhe partiake, padyshim çdoherë kanë zgjedhur këta të fundit.
Përveç shërbimit ndaj Gruevskit, BDI dhe PDSH do jenë bashkë në zgjedhje edhe për një arsye të thjeshtë, të shfajsojnë nga përgjegjësia liderët e këtyre partive, Ali Ahmetin dhe Menduh Thaçin. Riciklimi i Ahmetit dhe Thaçit në politikë do jetë dështimi më i madh i shhqiptarëve të Maqedonisë, do të jetë fyerje e intelegjencës dhe sensit të tyre politik.
Nëse këto dy parti kanë qëllime serioze ndaj shqiptarëve atëherë para se të ofrojnë koalicion duhet të bëjnë diçka tjetër. Liderët e këtyre dy partive duhet të japin dorëheqje, në shenjë të bartjes së përgjegjësisë për zbatimin e politikave të dështuara. Është joserioze tu thuash shqiptarëve, hajde të harrojmë dështimet e kaluara, dhe të flasim për të ardhmen. Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi nuk mund të jenë liderët shqiptar të së ardhmes së shqiptarëve sepse kanë bërë shumë gjunahe ndaj tyre dhe se pushteti i VMRO ua ka lidhur duar e këmbë!
Por, BDI dhe PDSH nuk janë e keqja më e madhe e shqiptarëve sepse ato tashmë janë korritur para opinionit shqiptar. Gjëja më e keqe është se opozita nuk po arrijnë të artikulojnë qartë interesat e shqipatarëve dhe tu ofrojnë atyre një alternativë të shëndoshë politike.
Unë nuk shoh se Zejadin Sela dhe RDK seriozisht po punojnë që shqiptarëve t’u ofrojnë një vizion të qartë për të ardhmen e tyre. Nuk bëhet opozitë kështu siç e kanë bërë deri tani. Le të mësojnë pak nga opozita kosovare!

 

Loading...