BDI-ja e së nesërmes do të ndërtohet kur udhëheqësit e BDI-së do të shkojnë në gjyq bashkë me Gruevskin

Xhevdet Hajredini

BDI-ja e së nesërmes nuk mund të ndërtohet me udhëheqësinë e cila 8 vite e ka ushtruar pushtetin bashkë me Gruevskin dhe Mijallkovin. BDI-ja e së nesërmes do të ndërtohet atëherë kur krerët e saj do të shkojnë atje ku momentalisht shkon për çdo ditë Gruevski.
Ja pse! Gjykata e Nju Jorkut i ka dënuar kompanitë Dojçe Telekom dhe Magjar Telekom, sikurse edhe menazherët e tyre, për shkak se u kanë dhënë ryshfet funksionarëve politikë në Maqedoni, me qëllim që të sigurojnë favore në treg, por në dëm të qytetarëve të Maqedonisë. Kjo formë e korrupsionit është praktikuar edhe me kompanitë tjera, investitorët e jashtëm në Maqedoni.

Dihet rasti i kompanisë Aktor nga Greqia, e cila e ka ndërtuar qarkoren rrteh Shkupit dhe aksin e autostradës Demir Kapi-Smokvicë, e cila poashtu është dënuar në Greqi.
Këto veprime korruptive nuk janë bërë pa dijen edhe lejen e vetë liderëve të partive në pushtet, të cilët para qytetarëve shtiren dhe shiten si patriotë të mëdhenj.
Me këto para, përveç që i kanë mbushur xhepat e vetë, njëkohësisht i kanë blerë votat dhe i kanë fituar zgjedhjet.

Përndryshe, në Maqedoni është shpikur një metodë origjinale e luftës kundër korrupsionit. Lideri i një parie në pushtet bën thirrje publike që të gjithë anëtarët e partisë së tij të hetohen nga organet kompetente. Pasi një thirrje e tillë nuk vlen për organet hetuese, atëherë del se në këtë parti nuk ka korrupsion.
Nuk duhet të presim të zbulohen dhe të dënohen raste korrupsioni në BDI, deri sa do hetojnë dhe do të gjykojnë hetues dhe gjykatës, të cilët para se të zgjedhen në këto pozicione, duhet të regjistrohen në fletoret e kryetarëve të degëve të partisë.
Jo rastësisht, për të arritur në postin e kryetarit të degës së partisë ndodhin rrahje, plagosje me armë zjarri dhe vrasje, kurse këto raste vetë krerët e partisë në fjalë i spjegojnë si shenjë e demokracisë brendapartiake.

Para ca kohe, një gjykatës i tillë e dënoi për shpifje dëshmitarin i cili në Gjykatën e Nju Jorkut dëshmoi se cilët funksionarë në Maqedoni kanë marrë disa miliona euro nga kompania Telekom. Nuk e përfilli ky gjykatës as shkresën e gjykatës së Nju Jorkut se padia dhe dënimi paraqesin presion mbi dëshmitarin.

Loading...