Bashkimi Demokratik për Integrim respekton Marrëveshjen e Përzhinos vetëm atëherë kur i konvenon VMRO-DPMNE-së. Pjesë e Marrëveshjes së Përzhinos ishte edhe funksionimi i RTVM-2 në gjuhën shqipe, por një gjë e tillë ende nuk ka nisur.

Pas skadimit të mandatit të Oliver Spasovski dhe largimit të tij nga posti i ministrit të Brendshëm në përputhje me marrëveshjen e Përzhinës, në këtë ministri janë bërë edhe 11 ndryshime kadrovike, që më parë ishin emëruar nga Spasovski.

“Gjithçka kthehet në gjendjen e mëparshme dhe personat që kanë qenë të emëruar mbi bazën e kësaj kuote nuk janë më në pozita të njëjta dhe situata është kthyer siç ka qenë para marrëveshjes së Përzhinës”, ishte arsyetimi i Agim Nuhiut, Ministër i MPB.

Ministri Nuhiu gjithashtu vlerëson se ndryshimet i ka bërë në bazë të vlerësimit të tij dhe ekipit, me detyrë të vetme që MPB, të funksionojë në normalitet, por edhe që të garantohet siguria e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.

Nga BDI nuk përgjigjen nëse po e përkrahin dhe zbatojnë Marrëveshjen e Përzhinos vetëm atëherë kur është në dobi të VMRO-DPMNE-së. Nga aty nuk komentojnë nëse tashmë është dashur të nis që RTVM në gjuhën shqipe të funksionojë 24 orë.

Harun Ibrahimi, zv/drejtor në RTVM sqaron për redaksinë tonë rreth çështjes në fjalë.

“Sipas Marrëveshjes së Përzhinos, 6 muaj pasi të formohet Qeveria e re, duhet të merret më këtë cështje. Nga ne është kërkuar që të bëjmë një elaborat për kapacitetin e stafit dhe teknikës. Ne këtë punë e kemi kryer. Tani presim formimin e Qeverisë”, tha zv/drejtori Ibrahimi.

 

Loading...