Bëhet si “invalid” dhe i merrë Zvicrës gjysmë milioni franga

Një shtetas 54-vjeçar nga trojet ballkanike, gjatë 15 viteve ka marrë pension zviceran me të padrejtë. Ai është akuzuar se i ka shpifur problemet shëndetësore, ndërsa tani është dënuar.

Prokuroria e ka akuzuar 54-vjeçarin se, që nga viti 1996 ka shfrytëzuar pension invalidor zviceran duke e mashtruar sigurimin shëndetësor pensional dhe mjekët. Gjatë gjithë kohës ai ka qenë i vetëdijshëm se nuk ka vuajtur nga dhimbjet të cilat i ka shpikur dhe për të cilat është ankuar.

Personi në fjalë, tek mjekët dhe sigurimi invalidor gjithnjë ka këmbëngulë se nuk është në gjendje të punojë, pasi ndjen dhimbje të mëdha, nuk mund të lëvizë, gjatë veshjes së rrobeve është i varur nga familja dhe shpeshëherë nuk mund të lëvizë nga shtrati. Në periudhën prej 1991 e deri më 2011, sigurimi invalidor i ka paguar personit nga Ballkani një shumë prej 453.229 franga zvicerane.

Në vitin 2010 lind dyshimi se pensionisti invalidor nuk është edhe aq i sëmurë sa paraqitej. Sigurimi invalidor e ka vëzhguar kohë të gjatë dhe pas dokumentimit të video materialit të grumbulluar, ka ngritur kallëzim penal ndaj tij, shkruan „20 Minuten“, përcjellë „Shtegu.com“. Në video mund të shihet personi se si e ka punuar kopshtin me një lopatë, ka mbajtur pesha të rënda të pijeve, ka mbajtur një fëmijë në krahë dhe e ka kapërcyer një hendek.

Në vitin 2013, ai ishte dënuar nga Gjykata e qarkut në St. Gallen për mashtrim. Kundër këtij vendimi, pensionisti mashtrues ka parashtruar ankesë, duke kërkuar lirimin nga akuza. Në shtator të vitit të kaluar, në Gjykatën kantonale të St. Gallenit, ai kishte deklaruar se që nga fillimi i hetimeve ndaj tij dhe ndërprerja e pensionit invalidor, mbijetesa e tij ishte përkeqësuar. Borxhet i ishin grumbulluar. Ai ka vazhduar të ankohet se shpeshëherë nuk mund të lëvizë nga shtrati për shkak të dhimbjeve të mëdha dhe në mënyrë permanente është i detyruar të marrë medikamente kundër dhimbjeve.

Gjykata kantonale tani ia ka konfirmuar dënimin duke e shpallur fajtor për mashtrim të shumëfishtë dhe shkelje të Ligjit për komunikacion. Në këtë mënyrë, Gjykata ia ka reduktuar dënimin e pjesërishëm me kusht prej tre vitesh burg në dy vite. Kësaj i është shtuar edhe gjoba prej dhjetë mëditjeve, në një afat provues prej dy vitesh. (Shtegu.com)

Loading...