Bekteshi viziton bizneset në Gostivar, fton kompanitë të aplikojnë për subvencione

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ka vizituar kompaninë “Almero” në Gostivar, me ç’rast ka vizituar edhe repartin e prodhimit të kësaj kompanie e cila merret me prodhimin e dyshekëve.

Kompania pjesën më të madhe të kapacitetit prodhues e eksporton jashtë vendit, kryesisht në tregjet evropiane, kurse periudhën e fundit edhe në vendet e treta.

Ministri Bekteshi tha se kjo kompani është njëra nga kompanitë e cila plotëson kushtet për shfrytëzimin e mjeteve financiare në pajtim me Ligjin për mbështetje financiare e ekonomike për kompanitë vendore.

Bekteshi njëherit ka ftuar edhe kompanitë e tjera të aplikojnë për subvencionim, në njërën nga tre shtyllat, ajo për shtimin e kapaciteteve prodhuese për konkurrueshmëri dhe ndërmarrjet e mesme dhe të vogla.

Nga ana tjetër, Adem Agani – menaxher i prodhimit në “Almero”, tha se me subvencionimin e ri përmes Ligjit për mbështetje financiare, ata do ta shtojnë hapësirën prodhuese, që nënkupton shtimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e konkurrueshmërisë.

Ndryshe, “Almero” aktualisht 65 për qind të prodhimit të vet e ka të siguruar për tregun e jashtëm dhe me Ligjin për mbështetje financiare ekonomike për kompanitë vendore pritet të shtojë hapësirën prodhuese në 10 mijë metra katrorë.

Loading...