Berat Gjimshiti drejt Beneventos

Berat Gjimshiti do të luajë në Serinë A gjatë sezonit të ardhshëm, por jo te Atalanta. Pas rikthimit te bergamaskët, mbrojtësi shqiptar pritet të huazohet te Benevento, skuadër e cila u ngjit mes më të mirëve të futbollit italian për herë të parë në histori. Drejtuesit e klubit nga Kampania janë fare pranë transferimit të 24-vjeçarit, me drejtorin sportiv Di Somma që pothuajse i ka mbyllur negociatat me Atalantën. Gjimshiti cilësohet një përforcim mjaft i rëndësishëm për Beneventon, pas sezonit pozitiv që zhvilloi në Serinë B me Avellinon. Sipas mediave italiane, kalimi i lojtarit nga Lugina e Preshevës do të realizohet me formulën e huazimit me të drejtë blerje të kartonit në fund të kampionatit. Edhe pse te Benevento këmbëngulin se marrëveshja nuk është ende zyrtare, sipas burimeve pranë klubit, palët po diskutojnë për detajet e kontratës dhe për të formalizuar më pas huazimin e Berat Gjimshitit.

Loading...