Berat Gjimshiti në “radarët” e Sampdorias

E ardhmja e Berat Gjimshitit mbetet e paqartë. Merkato në Serinë A mbyllet të premten një ditë përpara fillimit të kampionatit, me skuadrat që ende po mendojnë goditjet e fundit. Qendërmbrojtësi i kombëtares shqiptare është një nga emrat më të lakuar, teksa qëndrimi i tij në Bergamo duket i vështirë.

Pas Krasnodarit dhe Sassuolos, tashmë emri tjetër që lakohet nga mediat italiane është Sampdoria. Xhenovezët janë në kërkim të një përforcimi në qendër të mbrojtjes me Lorenzo Tonellin e Napolit që mbetet alternativë e parë.

Mbi 28-vjeçarin ka një interesim të fortë nga ana e Cagliarit, ndërkohë që trajneri i dorianëve, Marco Giampaolo piketon ish lojtarin e tij tek Empoli si përforcimin ideal. Megjithatë Tonellit i është premtuar roli i titullarit tek sardët çka po i mungon tek Napoli dhe drejtuesit e Sampdorias kanë hedhur vështrimin tek Berat Gjimshiti.

25-vjeçari vjen nga aktivizimi i rregullt me Beneventon edicionin e kaluar, ndërkohë që pikërisht ish trajneri i tij tek kjo skuadër, De Zerbi e kërkon tashmë ta marrë tek Sassuolo. Megjithatë Atalanta nuk po kalon një moment të mirë me dëmtimet në repartin e mbrojtjes dhe nuk është çudi që trajneri zikaltër Gianpiero Gasperini të vendosë veton për ta mbajtur në ekip, duke patur parasysh faktin që përveç kampionatit janë në garë edhe në Europa League.

Loading...