Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka organizuar konferencë për media, të fundit në prag të ndeshjes, Kosovë – Maqedoni që do të luhet të enjten më 13 shtator në ora 20:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, në kuadër të parakualifikimeve për FIBA Eurobasket 2021.

 

“Stërvitjet i kemi filluar më 22 gusht së bashku me ndihmëstrajnerët, ndërsa trajneri na është bashkuar më 29 gusht dhe së fundi na janë bashkuar edhe Erjoni dhe Scotti, e kjo ka bërë që të krijojmë një atmosferë shumë të mirë para ndeshjes së të enjtes.

 

Jemi përgatitur mjaft mirë, e dimë rëndësinë e ndeshjes, do të luajmë para publikut tonë dhe shpresojmë se palestra do të mbushet, sepse presim përkrahje shumë të madhe.

 

Jemi shumë të motivuar, Maqedoninë e kemi mposhtur vitin e kaluar, andaj mund ta mposhtim prapë para shikuesve tanë.

 

Trajneri i ri është me ne, është një freski për ekip, ka bërë një punë shumë të mirë me ne. E dimë se çfarë ka qenë kur ka luajtur basketboll, dhe eksperiencën e tij na e ka përcjell neve.

 

Maqedonia ka disa ndryshime në ekip, por ne jemi një ekip i ri dhe definitivisht jemi më të shpejtë dhe më të motivuar. Do të jetë një ndeshje shumë e fortë me dy stile të ndryshme të lojës, por unë kam besim të madh tek të gjithë dhe jam shumë optimist për gjithë atë që do ta shfaqim në parket të enjten”, tha Dardan Berisha, kapiten i Përfaqësueses së Kosovës.

 

 

Biletat për ndeshjen Kosovë – Maqedoni do të dalin në shitje të mërkurën dhe çmimi i tyre do të jetë 2 euro dhe 10 euro.

Loading...