Berisha: Rugova në vitin 1992 refuzoi ndarjen e Kosovës dhe Maqedonisë, Greqia do merrte jugun e Shqipërisë

Serbisë ia japin 25 deri 27 për qind të Kosovës, ndërsa Maqedonia, ndahet nga 25 për qind nga Serbia, Greqia, Bullgaria dhe Shqipëria. Serbia po luan. Serbia do të shpartallojë idenë e pavarësisë. Duan të marrin pjesët më të pasura të Kosovës. Po filloi ndërrimi i kufijve të Maqedonisë, edhe Greqia do të kërkojë ndryshimin e kufijve me Shqipërinë në Jug…

Ibrahim Berisha
Në fillim të viteve 1990 nisi të flitej për ndarjen e territorit të Kosovës në dy pjesë, një pjesë të merrej nga Serbia dhe pjesa tjetër të bashkohej me Shqipërinë. Kjo ide, e lansuar edhe tek diplomatët dhe administratat ndërkombëtare edhe nga vetë Presidenti i Serbisë Dobrica Qosiq, u provua praktikisht të realizohet në Kosovë në vitin 1992 nga një grup ekspertësh francezë dhe grekë, përfshirë edhe këshilltarë nga zyra e kryeministrit grek, Micotakis.
Pasi Kryetari Ibrahim Rugova përfundoi një takim me këtë grup, hyra në zyrën e tij. Atë kohë isha anëtar i Kryesisë së LDK dhe udhëheqës i Qendrës për Informim të Kosovës. Pashë në tavolinën e tij një libërth të pazakonshëm. E shikova, ndërkaq ai ende pa e pyetur, më tha se është një projekt për Kosovën. Ç’është e vërteta, aso kohe kishte disa projekte institutesh dhe grupesh ndërkombëtare.
Njëri prej tyre propozonte që Kosova t’i paguante taksë Serbisë 99 vjet.
Lloj-lloj idesh vinin dhe shkonin, ngjashëm sikur shfaqen sot në lidhje me Marrëveshjen Finale me Serbinë, dhe natyrisht, sikur në të gjitha negociatat ndërkombëtare për Kosovën, që nga vitet 1990.
Shihe, më tha. Në tavolinë ishte projekti me plot harta, tabela dhe analiza ku spikateshin territore veçmas të Kosovës dhe Maqedonisë. Çka thotë, e pyeta. Propozojnë ndarjen e Kosovës dhe të Maqedonisë.
Çfarë mendon, e pyeta sërish. Jo, jo, tha prerë. Serbisë ia japin 25 deri 27 për qind të Kosovës, ndërsa Maqedonia, ndahet nga 25 për qind nga Serbia, Greqia, Bullgaria dhe Shqipëria. Serbia po luan. Serbia do të shpartallojë idenë e pavarësisë. Duan të marrin pjesët më të pasura të Kosovës. Po filloi ndërrimi i kufijve të Maqedonisë, edhe Greqia do të kërkojë ndryshimin e kufijve me Shqipërinë në Jug…
Në një nga hartat dukej qartë krijimi i tre trekëndshave, pyka, që hynin nga Mali i Zi dhe zbrisnin nëpër Kosovë, duke përfshirë brenda, Manastirin e Deçanit, Patrikanën e Pejës dhe Manastirin e Deviçit.
Një pjesë e këtyre territoreve të hijezuara për marrje nga Serbia, tash janë në një formë ex-territore (kishtare). Veriu po kështu hiqej dhe harta e krehjes së Kosovës vazhdonte edhe tek pjesët e Artanës…

Loading...