BESA: Deputetët e BDI-së pamundësuan gjykim korrekt për rastin “Monstra” dhe për Kumanovën

Shkup, 23 dhjetor – Pardje në Parlamentin e Maqedonisë ishte paraparë votimi i ligjit me procedurë të përshpejtuar për të punësuarit dhe funksionimin normal të Prokurorisë Speciale, e cila po themelohet për gjykimin e rasteve penale që dalin nga përgjimet e publikuara.

Por, shumica e deputetëve të BDI-së dhe PDSH-së kanë bllokuar kalimin e këtyre ligjeve: disa nuk kanë votuar fare, e ca të tjerë nuk kanë qenë të pranishëm, andaj ky ligj nuk ka kaluar. A ka dyfytyrësi më të madhe se kjo që bën BDI-ja? Në njërën anë e bllokon me të gjitha mundësitë formimin e Prokurorisë Speciale, ndërkohë del paturpshëm para mediave televizive dhe thotë se rasti “Monstra” edhe ai i tradhtisë së madhe në Kumanovë duhet t’i delegohen po kësaj gjykate! Kjo BDI e cila kërkon vazhdimisht monitorimin e faktorit ndërkombëtar për rastet e tradhtive ndaj shqiptarëve, tani që iu dha rasti ta shpreh atë në vepër, përmes Prokurorisë Speciale, ata po punojnë kundër formimit të saj.

Lëvizja BESA e përkrah fuqishëm formimin e Prokurorisë Speciale dhe shpreson së përmes saj njëherë e përgjithmonë do të shihet fytyra e vërtetë e politikanëve kriminelë, të cilët fshihen pas folklorizmave të rreme dhe nën petkun e patriotizmit, ndërkohë që janë bashkë me ata që antishqiptarinë e kanë frymëzimin kryesor.

Prandaj, për Lëvzjen BESA platforma “Edhe shqiptarët pa Hipoteka” është zgjidhja e vetme që mund ta çojë Maqedoninë drejt një progresi, sepse vetëm politikanët e pashantazhuar, të pakorruptuar, dhe pa hipoteka mund të luftojnë për një të ardhme më të mirë. Ndërkaq, këta që e kanë të kapur “bishtin për dere” ndryshe flasin e ndryshe veprojnë, normalisht nga halli, si në rastin e bllokimit që po ia bëjnë Prokurorisë Speciale. (s.m.)

Loading...