Zv/kryeministri për çështje evropiane Fatmir Besimi, vlerëson se të gjitha kritikat në raportin e progresit janë reale dhe duhet të adresohen në mënyrë adekuate, përfshirë ato për hetimin e plotë të indikacioneve për përfshirjen e mundshme të zyrtarëve shtetërorë në afera korruptive. Besimi tha se materialet e përgjuara duhet ti adresojë Prokuroria speciale, ndërkaq qeveria duhet të fokusohet në përmbushjen e reformave urgjente dhe plotësimin e Marrëveshjes politike me qëllim që të mund të fitojë rekomandimin në pranverë.

“Kjo që shkruhet duhet të jetë pjesë e agjendës së punës.Implementimi i Marrëveshjes politike, reformat urgjente, raporti për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe marrëdhëniet ndëretnike, si dhe zgjidhja e çështjes së emrit dhe kontesteve të hapura me fqinje do të jenë pasqyra e cila do të tregojë rrugën e vitit të ardhshëm të Maqedonisë drejt integrimit evropian”, deklaroi
Fatmir Besimi, zv/kryeministër.

Për njohësit e çështjeve evropiane raporti i sivjetmë i Komisionit Evropian ishte raporti më kritik që ka marr ndonjëherë Maqedonia, por edhe më i drejtpërdrejtë që nuk lë hapësirë për interpretime të ndryshme.

“Kemi raport jashtëzakonisht të vrazhdë, unë do të kisha thënë tre herë më të vrazhdë se çdo raport tjetër, dhe ku në veçanti theksohet gjendja katastrofale në gjyqësi, keqpërdorimi tej masë i administratës, si strukturë edhe si organizim dhe manipulim për çështje zgjedhore, identifikimi i partisë me shtetin, marrëdhëniet ndëretnike”, tha Mersel Bilalli, profesor.

Pavarësisht përpjekjeve për të manipuluar opinionin publik se rekomandimi është i ruajtur, sipas Bojan Mariçiq rekomandimi është i pezulluar për t’u rishikuar në pranverë.

“Ky është raporti më kritik i Komisionit Evropian në 7 vitet e fundit që kur Maqedonia e ka marrë rekomandimin për çeljen negociatave. Kishte shumë debat rreth rekomandimit, ai përfundimisht është i pezulluar dhe i kushtëzuar sepse është shprehur vetëm gatishmëria e Komisionit ta japë rekomandimin por kësaj çështje do t’i rikthehet në mes të vitit të ardhshëm pas zgjedhjeve, rekomandimi është i ngrirë apo i shtyrë dhe i kushtëzuar”, deklaroi Bojan Mariçiq, Qendra maqedonase për edukim evropian.

Ekspertët thonë se deklarata e kryeministrit Gruevski se raportin më të mirë do ta jap popullin është përpjekje për të shmangur përgjegjësinë, pasi siç thonë në raport nënvizohen qartë fajtorët për të gjitha parregullsitë dhe ngecjet./Alsat-M/

Loading...