Në prag të festës së Kurban Bajramit besimtarët muslimanë në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë, por edhe në vendet e tjera të rajonit, vazhdojnë përgatitjet për pritjen e festës, raporton Anadolu Agency (AA).

Besimtarët kujdesen për blerjen e produkteve ushqimore, por edhe për përgatitjen e kurbanit, simbolit të festës, ndërsa kujdesen edhe për xhamitë në vendet e tyre për faljen e namazit të Kurban Bajramit.

Festën e Kurban Bajramit në Maqedoni edhe këtë vit e shoqëron organizimi tradicional i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të këtij vendi, e cila bën grumbullimin dhe prerjen e kurbanit si dhe shpërndarjen e mishit të kurbanit.

BFI thotë se shuma të cilën një besimtar duhet ta ndajë për një kurban është 120 euro, mishi i të cilit mund të merret ose t’i dhurohet BFI-së, me të cilin ajo mirëmban institucionet edukativo arsimore të saj, pesë Medresetë dhe Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup.

Siç thonë nga institucioni më i lartë fetar në Maqedoni, atyre për çdo vit u tepron nga mishi, prandaj në ditën e tretë të Kurban Bajramit, tepricën e shpërndajnë tek nevojtarët dhe jetimët përmes bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile dhe këshillat e xhamive.

Paralelisht me këtë, tashmë për disa ditë në Shkup është i hapur tregu i improvizuar i bagëtive, në të cilin besimtarët muslimanë mund të vijnë për të blerë një kurban.

Tregtarët në këtë treg të improvizuar ankohen se këtë vit interesimi është jashtëzakonisht i ulët, ndoshta edhe nga çmimi i bagëtive që duket më i lartë nga çmimi të cilin e ofrojnë shitësit tjerë përmes organizatave të shumta islame.

Më saktësisht, çmimi në tregun e bagëtive në Shkup është 120-150 euro për një dele, 230-250 për një dash, ndërkohë që çmimi i bagëtive të mëdha varion mes 550-600 dhe 650 euro.

Po ashtu edhe në Shqipëri kanë filluar përgatitjet për Kurban Bajramin, ku përfshihet edhe blerja e produkteve, si dhe përgatitjet për kurbanin në të gjitha qytetet e vendit.

Tregu “Pazari i Ri” në kryeqytetin e vendit, në prag të festës së Kurban Bajramit është më i frekuentuar nga qytetarët, të cilët blejnë produktet nga më të ndryshmet, mirëpo edhe tregjet në qytete e tjera të vendit presin besimtarët që janë më të shumtë në numër se ditët e tjera.

Përgatitje besimtarët kanë bërë edhe për therjen e kurbaneve, ku prej ditësh bëhen përgatitjet për blerjen e kurbanit. Çmimi i përcaktuar i kurbanit për këtë vit është 140 euro për bagëtitë e imëta.

Edhe këtë vit, institucione dhe organizata të ndryshme brenda vendit, por edhe nga Turqia do të shpërndajnë mish kurbani për mijëra familje në nevojë. Fondacioni i Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë (TDV) dhe Gjysmëhëna e Kuqe Turke do të shpërndajnë kurbane për mijëra familje në nevojë, në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

– Bashkësia Islame e Kosovës pret mbi 7.000 porosi për therje të kurbanit

Besimtarët muslimanë të Kosovës këtë vit në emër të kurbanit mund të paguajnë paratë Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), e cila për Kurban Bajram mishin do t’ua ndajë kryesisht familjeve të varfra. Nga BIK-u për AA thonë se ky institucion fetar tashmë ka një traditë të mirë të organizimit dhe zbatimit të aksionit të therjes së kurbaneve për Kurban Bajram.

Sekretari i BIK-ut, Resul Rexhepi, ka theksuar se në Kosovë besimtarët pagesat për kurban mund t’i bëjnë në mbarë Kosovën në zyrat e Bashkësisë Islame, ndërsa kosovarët nga diaspora pagesën mund ta bëjnë vetëm në selinë qendrore të BIK-ut në Prishtinë.

“Ne angazhohemi që edhe këtë vit të ketë më shumë se 1.000 krerë gjedhe të mëdha, lopë, që janë mbi 7.000 porosi për therje të kurbanit”, thotë Rexhepi për AA.

Ai sqaron se blerjen dhe therjen e kurbaneve do ta kryejë një kompani nga Hungaria, e cila është përcaktuar me anë të një tenderi të publikuar nga BIK-u në muajin maj, kurse vlera e pagesës të një kurbani është 120 euro.

Sipas tij, therja e kurbanit për besimtarin, për anëtarët e familjes, i cili ka kushte optimale për jetë, është një detyrim dhe mishin e kurbanit duhet ta ndajë në tri pjesë.

Besimtarët në Kosovë mund të blejnë edhe vetë kurbanet, kryesisht dele, lopë apo dhi, në tregjet e kafshëve.

Simboli i festës së Kurban Bajramit është prerja e kurbanit, në përputhjeve me rregullat islame. Mishi i kurbanit u ndahet të varfërve, fqinjëve dhe familjes.

Rituali i kësaj feste fillon me faljen e namazit të Bajramit herët në xhami, pastaj vazhdon me prerjen e kurbanit për atë që ka mundësi, duke përfunduar me vizitat tek të afërmit, fqinjët, shokët dhe miqtë.

Loading...