Bilall Kasami: Me politikanët tanë ka rënë në hall edhe bashkësia ndërkombëtare

Bashkëbisedues special i këtij edicioni të intervistës “3pyetje nga Mensur Krasniqi” kësaj rradhe është kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami. Ai në kuadër të kësaj interviste për herë të parë është shprehur lidhur me akuzat e përvetësimit të protestës së 9 majit nga Lëvizja Besa. Sipas Kasamit këto janë tema periferike që nuk merritojnë vëmendje të veçantë, ngaqë dikush në këtë formë dëshiron të defokusoj  pjesëmarrjen masive të 30 mijë protestuesve shqiptarë që delegjitimuan plotësisht partinë shqiptare në pushtet BDI.  Ai në vazhdim të intervistës ka folur edhe mbi raportin e komunitetit ndërkombëtar dhe liderëve partiak në bisedime, me ç’rast dha një porosi të qartë se nuk ka shpresë që ata që e shkaktuan krizën ta zgjidhin atë. Pra me këso politikanësh sipas Kasamit ka rënë në hall edhe bashkësia ndërkombëtare. Derisa në fund ai ka një lajm të mirë për gjithë shqiptarët, duke thënë që agimi është afër, ndërsa ka mbetur vetëm edhe pak kohë ku me ardhjen e Lëvizjes BESA në qeverisje shqiptarët do të mund të marrim frymë ndryshe.

 Mensur Krasniqi: Protesta e 9 majit ka nxitur komente të shumta në opinionin e gjerë, e madje edhe nga përfaqësues të LR-PDSH-së. Sipas tyre mbajtja e fjalimit vetëm nga kryetari i Lëvizjes Besa në një protestë ku kanë marrë pjesë siç pretendojnë ata thuajse të gjitha partitë opozitare, tregon qartë se Lëvizja Besa e koordinon Këshillin Opozitar, andaj edhe në këtë formë ka dashur të përvetësojë protestën?

Bilall Kasami: Protesta e 9 Majit ka përcjellë disa mesazhe të rëndësishme, siç është fakti se ndodhi për herë të parë që një partie shqiptare në pushtet t’i dalin në rrugë mbi 30.000 shqiptarë dhe t’i thonë se i ka skaduar afati dhe se ajo më nuk i përfaqëson shqiptarët e Maqedonisë. Kjo i ka ndodhur vetëm asaj partie dhe ky është sinjali më serioz që populli shqiptar i Maqedonisë ia ka dërguar partisë në pushtet, që me fjalë të tjera i bie se kështu ajo është delegjitimuar plotësisht.
Sa për protokollin e organizimit, mbase më mirë është të bisedoni me organizatorin – Këshillin Opozitar, i cili e kishte bërë edhe radhitjen e folësve, edhe çështjen e rendit të sigurimit. Kujtoj se ato janë tema periferike dhe nuk meritojnë ndonjë vëmendje sa dëshirojnë të krijojnë prej tyre disa qarqe që duan të na defukosojnë nga mesazhi i mësipërm. BESA është anëtare e Këshillit Opozitar dhe nuk është kurrfarë befasie prania e saj në protestë. Por, përballë faktit që e përmenda më sipër, vërtet janë periferike dhe të parëndësishme të gjitha temat e tjera.

Mensur Krasniqi: Të kalojmë në situatën politike në vend. Çfarë po ndodh me Maqedoninë? Pra duke e ditur që Maqedonia nuk mund të dalë prej kësaj krize politike duke qenë e përfaqësuar në tavolinën e bisedimeve nga aktorët kryesorë që e kanë shkaktuar vet krizën, atëherë pse komuniteti ndërkombëtar po ju jep aq shumë hapësirë?

Bilall Kasami: Unë mendoj se me këso politikanë ka rënë në hall edhe bashkësia ndërkombëtare. Sepse ata janë mjeshtër për devijimin e marrëveshjeve. Kjo ka ndodhur në vazhdimësi në Maqedoni dhe kjo po ndodhë edhe sot me Marrëveshjen e Përzhinës. Për kërr arsye kujtoj se bashkësia ndërkombëtare duhet ta marrë seriozisht kërkesën e 30 mijë protestuesve shqiptarë që edhe ne të përfaqësohemi në bisedime. Nuk ka shpresë që ata që e shkaktuan krizën ta zgjidhin atë. Aq më keq që shqiptarët janë të përfaqësuar aty me përkthyes të VMRO-DPMNE-së.

Ndërkaq qëndrimi jonë është i proklamuar qysh moti. Që të tejkalohet kjo krizë, por edhe që të pamundësohet riciklimi i saj, Maqedonisë i duhet një proces serioz i RIDEFINIMIT të sistemit të saj shtetëror. Që të parandalohet abuzimi me institucionet e shtetit, siç ndodhi me këtë krizë, që të rritet kohezioni ndëretnik dhe që ky vend të mund të veprojë për një storje suksesi. Ndryshe, kjo krizë le që nuk do të zgjidhet, por akoma do të thellohet dhe, akoma më keq, ka shumë gjasa që të përsëritet pas një kohe.

Mensur Krasniqi: Në bazë të rezultateve të publikuara nëpër anketa të ndryshme, del se Lëvizja Besa radhitet menjëherë pas BDI-së, me rejting më të lartë se PDSH-ja dhe partitë e tjera opozitare jashtëparlamentare. Si është e mundur që Lëvizja Besa vetëm brenda një viti e gjysmë nga themelimi i saj, të imponohet fuqishëm si një forcë e re në politikëbërjen e Maqedonisë?

Bilall Kasami: Edhe ne i kemi këto informacione, madje në bazë të mobilizimit që e kishim me rastin e protestës, besoj të jetë edhe më mirë. Megjithatë, ky lajm për neve nuk përbën sihariq ose befasi, sepse gjatë këtij viti që shkoi kemi punuar hap pas hapi, lagje më lagje, duke gjetur njerëz të duhur për detyrën e duhur. Ndërkaq, tash kur është kështu, kjo aq më shumë na e shton barrën dhe përgjegjësinë, sepse kështu del se na bie më shumë në hise që të përballemi me BDI-në. Dhe, përkundër asaj se na vjen mirë që ne po ia bëjmë këtë shërbim kaq të rëndësishëm shqiptarit të Maqedonisë, jemi shumë të interesuar që këtë detyrë ta kryejmë më nder. Për neve, përveç fitores, janë të rëndësishme edhe mjetet. Sepse tek ne qëllimi nuk i arsyeton mjetet. Ne nuk do të donim fitore me çdo çmim, por fitore të çmueshme. Kjo i bie që ne presim të korrim fitore, por pa derdhur lot asnjë nënë shqiptare dhe pa iu thyer zemra asnjë të riu shqiptar nga kërcënimi, frika ose droja e partisë shqiptare në pushtet. Prandaj këtu dua ta jap lajmin e mirë se agimi është afër. Ka mbetur vetëm edhe pak dhe të gjithë ne do të mund të marrim frymë ndryshe.

Loading...