Bisedimet rreth emrit, Xanakopulos: presim thirrje nga Zaev

Ende asnjë paralajmërim për bisedën telefonike mes kryeministrit, Zoran Zaev, dhe homologut tij grek, Aleksis Cipras, e cila duhej të ndodh deri të premten. Përderisa Athina pret thirrjen e kryeministrit Zaev, ky i fundit u thirr në çështje teknike.

Zëdhënësi i Qeverisë greke, Dimitris Xanakopulos, në një intervistë për TV Kontra tha se asgjë nuk është dakorduar nëse nuk dakordohet gjithçka. Sipas tij, tani topi është në terrenin e fqinjëve për të bërë hapin vendimtar drejt zgjidhjes.

“Atë që presim është që udhëheqësia politike në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë ta bëjë hapin vendimtar dhe përfundimisht të shkojmë përpara drejt zgjidhjes së pranueshme të përbashkët drejt së cilës synojnë edhe të dyja vendet. Zoti Zaev duhet të përfundojë aktivitetet e nevojshme politike brenda vendit të tij me aktorët e tjerë politikë dhe më pas presim një përgjigje përfundimtare”,- deklaroi zëdhënësi i Qeverisë greke, Dimitris Xanakopulos.

Dilemat rreth procesit të negociatave u ngritën pas pezullimit të bisedës telefonike të paralajmëruar për javën që lamë pas. Por, pala greke deklaron se nuk shqetësohet për afate dhe se kjo periudhë mund të shfrytëzohet për të bind opozitën në vendet përkatëse.

Opozita në Maqedoni dhe Athinë nuk e shohin zgjidhjen e duhur në këtë kornizë. Kreu i opozitës maqedonase, Hristijan Mickovski, gjatë protestës së fundjavës deklaroi se nuk do të mbështesin ndryshimin e kushtetutës për të ndryshuar emrin.

Këtë qëndrim ndan edhe presidenti i Republikës, Gjorge Ivanov. “Erga omnes” është e papranueshme dhe parim i pandryshueshëm, deklaroi Ivanov.

Ndërkaq në Greqi, Demokracia e re kërkoi nga qeveria që të mos ngutet në këtë proces, pasi, sipas tyre, më mirë është të ketë zgjidhje të mirë, më vonë, se sa zgjidhje të keqe, tani.

Loading...