Këngëtari Blero është intervistuar nga Policia e Kosovës, për armëmbajtje pa leje. Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Express, zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti. “Po policia e Kosovës ka marrë në pyetje personin Blerim Muharremi, për posedim të armës pa leje. Rasti tashmë i ka kaluar prokurorisë”, ka thënë Ahmeti.

Gazeta Express pati raportuar se këngëtari Blero nuk ka leje për të mbajtur armë.

Lajmi ishte konfirmuar edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme, sipas të cilëve këngëtari Blero nuk ka bërë asnjë herë kërkesë për të marrë leje për armë në këtë Ministri.

Këngëtari Blero, në bazë të Kodit Penal të Kosovës, mund të dënohet me burg ose gjobë. Neni 374 “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, e sqaron fare mirë këtë gjë. Pika një e këtij neni thotë:

“1. Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet. 2. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni përfshin më shumë se katër (4) armë ose më shumë se katërqind (400) fishekë, kryesi dënohet me burgim prej dy (2) deri në dhjetë (10) vjet. 3. Arma në pronësi, kontroll apo posedim në shkelje të këtij neni konfiskohet.

Loading...