Sa autorë mund ta titullojnë librin e tyre thjesht Rendi Botëror pa tërhequr ndonjë vëmendje të madhe? Henry Kissinger vazhdon të jetë i pakrahasueshëm në llojin e tij. Për adhuruesit dhe kritikët, ai është më shumë se sa një ish-Sekretar Shteti i SHBA-së dhe ish-këshilltar për Sigurinë Kombëtare. Disa e shohin atë si trurin e politikës së jashtme të SHBA-së; disa të tjerë, si një realpolitikan të pamposhtur të botës së djeshme; dhe disa të tjerë akoma si delen e zezë. Por për të gjithë ai shkon përtej jetës. Dhe pavarësisht se si e sheh ndokush Kissinger, libri i tij ka jashtëzakonisht vlera.

Ta titullosh në këtë moment Rendi Botëror duket sikur ka ndonjë keqkuptim sepse, nëse kishte diçka që bota e humbi më 2014-n, ai ishte pikërisht rendi. Në Lindjen e Mesme, lufta civile në Siri ka shkaktuar qindra mijëra të vdekur dhe u ka lejuar grupeve xhihadiste të kërcënojnë stabilitetin e të gjithë rajonit. Në Azi, një Kinë e rizgjuar ekonomikisht po rritet me ritme të larta, duke iu shkaktuar ankth fqinjëve të saj. Në Afrikën Perëndimore, virusi i Ebolës desh rrafshoi shtete të tëra. Por edhe në Europë, që është pjesa me më tepër rregulla dhe e institucionalizuar e botës, rregullat liberale u sulmuan drejtpërsëdrejti nga presidenti rus, Vladimir Putin, i cili e përdor agresionin ushtarak si një instrument të politikës shtetërore.

Në mënyrë edhe më të habitshme, gardianët tradicionalë të rendit global hoqën dorë nga mbrojtja e tij. Si pasojë e luftërave të kushtueshme në Afganistan dhe Irak, Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera perëndimore po vuajnë mundin e ndërhyrjeve dhe po parapëlqejnë të përqendrohen më tepër në çështjet e tyre të brendshme. Dhe fuqitë që po rriten kanë dëshmuar deri tani se janë gjithashtu të pavullnetshme ose të paafta për ta ruajtur stabilitetin ndërkombëtar.

Të hyjmë te Kissinger. Një strateg dhe historian i trajnuar, ai hedh një vështrim të thellë. Moria e librave është eksplorimi i tij i interpretimeve të ndryshme i idesë së rendit botëror dhe i qasjeve konkurruese për ta ndërtuar atë. Kissinger e hap librin duke e cilësuar termin “rend botëror” si “konceptin e përqafuar nga një rajon apo një civilizim lidhur me natyrën e thjesht organizimeve dhe shpërndarjen e pushtetit që mendohet se mund të jetë i aplikueshëm në të gjithë botën”. Ai ka ngut që të dalë menjëherë te thelbi dhe thekson se çdo sistem i këtij soji qëndron në dy elementë përbërës; “një larmi rregullash të gjithëpranuara që përcaktojnë kufirin e veprimeve të pranueshme dhe një ekuilibrim pushteti që ravijëzon shkelësit atje ku thyhen rregullat, duke i ndaluar një njësie politike që t’i nënshtrojë gjithë të tjerat”.

Del se bota e Kissinger-it nuk qëndron vetëm te pushteti si derivat i mirëqenies ekonomike dhe ushtria mund të jetë gjithashtu një fuqi idesh. Gjithnjë sipas tij, idetë që kanë më tepër rëndësi janë ato të më të pushtetshmëve. Në këndvështrimin e tij, nocione tradicionale si sovraniteti dhe mosndërhyrja në punët e brendshme mbretërojnë ende si supreme, duke e karakterizuar sistemin ndërkombëtar në katër shekujt e fundit. Sot ai sistem po luhatet fort, duke qenë se aktorët e fuqishëm po promovojnë alternativa rregulluese botërore, nga teokracia te kapitalizmi autokratik, e deri te postmodernizmi i pakufishëm. Por vetëm struktura mbizotërues, argumenton Kissinger, i përmbush dy objektivat kryesorë të rendit botëror: legjitimiteti dhe balancimi i pushtetit. Ndërmjet mesazheve të shumta të librit ndoshta më i qartë nga të gjithë është një paralajmërim: mos caktoni një parim organizues nëse nuk ka një alternativë të gatshme që të garantojë se mund të jetë po aq e efektshme.

Vestfalia 2.0

Sipas Kissinger-it, sistemi i sotëm ndërkombëtar ia detyron strukturën e tij dinakërisë e shtetarëve europianë të shekullit të shtatëmbëdhjetë. Sistemi modern shtetëror doli në pah më 1648-n, pas një shekulli me konflikte sektare, kur Lufta e ashpër e Tridhjetë Vjetëve i bëri bashkë përfaqësuesit e fuqive europiane për të vendosur Paqen e Vestfalisë. Traktatet që u arritën kodifikuan idenë e shteteve sovrane si kolonat themeluese të rendit ndërkombëtar. Një shekull e gjysmë më vonë, Kongresi i Vjenës, më 1814–‘15, me diplomatë si i dërguari i Francës, Talleyrand dhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Klemens von Metternich, e zhbënë plotësisht parimin e balancimit të pushtetit si një mënyrë për të menaxhuar sistemin ndërkombëtar. Duke i përmbledhur këto ngjarje, Kissinger ndihet në mjedisin e tij të preferuar. Edhe pse disa historianë bashkëkohorë dhe politologë mund ta kundërshtojnë idealizimin që ai u bën institucioneve vestfaliane, një prej dhuntive të Kissinger-it është aftësia e tij për të dëshmuar rëndësinë e strukturave historike në politikën e sotme.

Sigurisht ka kufizime për këtë ushtrim: idetë perëndimore lidhur me shtetet dhe politikat janë zhvendosur në rajone të tjera që prej periudhës së kolonializmit dhe ato vazhdojnë të konkurrojnë me vizione të tjera më të vjetra rendi dhe pushteti që nuk mund të injorohen. Kjo është veçanërisht e vërtetë në Lindjen e Mesme. Kështu që libri shqyrton impaktin e stërzgjatur e skizmës shhito-sunite në botën bashkëkohore myslimane dhe daljen e shteteve laike që u përhapën nëpër Europë pas sistemit vestfalian. Sot, rendi botëror – ende i përbërë nga shtet-kombe të stilit europian – kërcënohet nga islami politik transnacional, si në formën e lëvizjes politike të Vëllazërisë Myslimane, ashtu edhe në atë të grupeve xhihadiste si Al Kaeda dhe Shteti Islamik i Irakut dhe al-Sham, ose ISIS. Kjo ngritje e fundit ilustron një rrezik të ri sipas Kissinger-it: një “një shpërbërje të shteteve në njësi tribale dhe sektare”, që rrezikon ta mbërthejë rajonin në “një përballje të ngjashme me luftërat fetare të Europës prevestfaliane, por më të gjerë se to”.

Vëzhgimi i Kissinger-it për Lindjen e Mesme merrte gjithashtu në konsideratë marrëdhënien ndërmjet SHBA-së dhe Iranit, një rivalitet që e vendos gardianin e rendit liberal botëror përballë një shteti që e ka vendosur në mënyrë demonstrative veten jashtë këtij sistemi. Kissinger e gjurmon traditën e shtetformimit iranian që në kohën e perandorisë persiane, duke nënvizuar se Irani ka aspiruar gjithnjë që të jetë më shumë se sa thjesht një shtet i stilit vestfalian, duke qenë në betejë me vetveten për të “vendosur nëse është një shtet apo një kauzë”. Kjo traditë ndikon shumë në negociatat shumëpalëshe lidhur me programin bërthamor të Iranit. Kissinger sugjeron se Shtetet e Bashkuara duhet t’i përforcojnë marrëdhëniet me Iranin bazuar në parimin e mosndërhyrjes. Por atje ku diplomacia nuk është e mjaftueshme, gjithsesi SHBA mund të përdorin politikat e balancimit të pushtetit për ta detyruar Iranin të bashkëpunojë, duke përdorur aleancat me fuqitë sunite rajonale si kundërpeshë. Rezultati i përpjekjes aktuale të Uashingtonit për një qasje të re me Teheranin mund të përcaktojë “nëse Irani do të ndjekë rrjedhën e islamit revolucionar apo atë të një kombi të madh, të lidhur legjitimisht dhe në mënyrë të rëndësishme në sistemin vestfalian të shteteve”.

Azia është një tjetër rajon ku konceptet perëndimore për rendin botëror kanë konkurruar për një kohë të gjatë me vizionet vendase. Edhe vetë ideja e një rajoni aziatik është e importuar nga Perëndimi: përpara mbërritjes së fuqive moderne europiane në shekullin e pesëmbëdhjetë, askush në rajonin shumëgjuhësh nuk kishte një vizion për Azinë dhe gjuhëfolësit e saj nuk i jepnin ndonjë rëndësi të madhe të bërit pjesë në një kontinent të vetëm. Kissinger i kushton vëmendje të veçantë Kinës dhe hyn thellë për të analizuar pikëpamjen kineze për botën, sipas së cilës vendi nuk qe një qendër pushteti ndërmjet shumë të tjerave, por “qeverisja e vetme e botës”, ku perandori kinez udhëhiqte mbi “gjithçka që ndodhej nën qiell”. Sipas Kissinger-it, ngritja e Kinës në shekullin e 21-të vjen me refrenin e këtyre pikëpamjeve tradicionale, teksa Pekini po kërkon një sintezë ndërmjet traditave të tij të lashta dhe rolit të ri që ka “si një fuqi e madhe bashkëkohore e modelit vestfalian”.

Ai paralajmëron se Kina dhe Shtetet e Bashkuara kanë pikëpamje të papajtueshme mbi demokracinë dhe të drejtat e njeriut, por bie dakord se dy vendet ndajnë një interes të përbashkët për të shmangur konfliktin. Në të vërtetë, Rendi Botëror del në përfundimin se marrëdhënia SHBA-Kinë mund të jetë më pak e rrezikshme se marrëdhënia e Kinës me fqinjët e saj aziatikë. Azia Lindore, iu kujton ai lexuesve, është një rajon ku “pothuajse çdo vend e konsideron veten si në ‘rritje’, duke sjellë mosmarrëveshje që mund të shpien deri në një kundërvënie”.

Rregullat e angazhimit

Kissinger del në pikën më interesante kur hulumton vendin që njeh më mirë: Shtetet e Bashkuara. Rendi Botëror ofron një analizë të imtësishme lidhur me debatin aktual në Uashington për sa i takon rolit të duhur të Shteteve të Bashkuara në botë. Por Kissinger nuk është një ekspert i zakonshëm, dhe analiza e tij ka të bëjë me një eksplorim të thellë të dy rrymave konkurruese të mendimit që e kanë ndarë historikisht politikën e jashtme të SHBA-së: realizmin pragmatik të presidentit Theodore Roosevelt dhe idealizmin liberal të presidentit Woodrow Wilson.

Gjithashtu, Kissinger ndonjëherë jep pikëpamjet e tij në terma abstraktë dhe është e lehtë të kuptosh se çfarë mendon për kritikët e presidentit Barack Obama, të cilët e akuzojnë atë se nuk ofron një lidership të mjaftueshëm. Duke përmendur një sërë luftërash me synime ambicioze që Shtetet e Bashkuara fillimisht ndërmorën dhe më pas i lanë përgjysmë, Kissinger nuk e fsheh skepticizmin e tij lidhur me nismat idealistike që kanë dështuar të vendosin një cak të fuqisë së SHBA-së, duke sjellë zhgënjime, për të mos thënë dështime të plota në politikën e jashtme”.

“Kritikët mund t’ua faturojnë këto dobësi intelektuale dhe morale udhëheqësve amerikanë”, shkruan ai. “Historianët ndoshta mund të dalin në përfundimin se ato erdhën nga paaftësia për të zgjidhur një ndarje më dysh mes forcës dhe diplomacisë, realizmit dhe idealizmit, pushtetit dhe legjitimimit, që e ndan më dysh të gjithë shoqërinë”.

Edhe pse Kissinger mban një qëndrim të fortë prej të moderuari në luftën e pambarimtë midis impulseve rusveltiane dhe uillsoniane në politikën e jashtme, ai e pranon gjithsesi rolin e rëndësishëm që luajnë vlerat liberale. “Amerika nuk do të ishte e sinqertë me veten nëse do ta braktiste këtë idealizëm thelbësor”, shkruan ai. Kissinger e pranon gjithashtu rolin e veçantë të Uashingtonit si mbrojtës i normave perëndimore dhe thekson se “rendi botëror nuk mund të arrihet nga ndonjë vend që vepron vetëm”. Fuqitë europiane mbeten partnerët më të natyrshëm të Shteteve të Bashkuara dhe Kissinger shton se ato mund të përafrohen nëse e kultivojnë marrëdhënien e tyre, duke punuar jo vetëm për ta maksimizuar nivelin e përgjithshëm të influencës perëndimore në botë, por gjithashtu duke mpakur impulset e këqija që ekzistojnë mes tyre.

Kissinger më pas qorton të drejtën e tepërt që i japin ndonjëherë vetes demokracitë. Por ndoshta ai është tepër kritik edhe me disa forma të kohëve të fundit të internacionalizmit liberal. Për shembull, ai argumenton se doktrina e “përgjegjësisë për të mbrojtur” –sipas së cilës një shtet e humbet të drejtën e tij sovrane për mosndërhyrje të jashtme në rast se ai dështon ta mbrojë popullin e vet nga mizoritë masive, duke i lypsur komunitetit ndërkombëtar të veprojë për të mirën e vetë popullit – mund ta destabilizojë sistemin ndërkombëtar. Por shoqëritë liberale e shndërruan këtë parim në mënyrë që të parandalonin udhëheqësit e paskrupujt që të manipulonin  dhe të talleshin me normat vestfaliane në përpjekje për t’i shpëtuar ndëshkimit për abuzimin me popullin e tyre. Për ta balancuar, zbatimi i doktrinës siç duhet do të jepte një kontribut më të madh për ta mbrojtur rendin liberal, sesa për ta rrënuar atë.

Gjithashtu, ajo mund prektë çështje me këtë lloj mendimi, që Kissinger pranon se do ta bënin gjithnjë e më të vështirë për demokracitë perëndimore të zhvillonin politika që do t’i pengonin angazhimet e tyre për vlerat liberale. Ai del në përfundimin se stabilitetit afatgjatë i bazuar te shtypja është një iluzion, sikurse dëshmuan revoltat arabe të 2011-s. Dekadat e ardhshme do të sjellin argumente të shumta lidhur me këtë dilemë bazike në varësi të peshës së fuqisë së Perëndimit dhe të vlerave liberale.

Një botë tërësisht e re?

Për aq sa thekson Kissinger, shtet-kombet janë ende aktorët kryesorë në sistemin ndërkombëtar. Megjithatë, as institucionet ndërkombëtare dhe as shtetet nuk kanë ndonjë rol të rëndësishëm në librin e tij. Në pikëpamjen e tij, nuk ka ndonjë ndryshim të madh që prej 1814-s, kur fuqitë europiane u mblodhën në Vjenë për të krijuar një sistem të qëndrueshëm, me ndonjë shkelje apo konflikt të vogël, e garantoi paqen në kontinent gjatë një shekulli. Por edhe sot nuk është shumë ndryshe nga 1914-a, kur po të njëjtat fuqi kryesore europiane e shtynë Europën drejt shkatërrimit, duke paraprirë një luftë edhe më të madhe që nisi konfliktin e parë të vërtetë global. Shënimet e Kissinger-it për të bërë kujdes, që përsëriten në librin e tij, shërbejnë si një paralajmërim për ata që mendojnë se njerëzimi pothuajse i ka kapërcyer problemet e së shkuarës të politikës së fuqisë dhe të rivaliteteve shtetërore.

Ky mesazh është në mënyrë të veçantë domethënës për BE-në, udhëheqësit entuziastë të korit të së cilës e promovojnë atë si një botë vestfaliane moderne pa kufij. BE-ja pa asnjë dyshim e ka transformuar Europën: pavarësisht nga ekstremi i djathtë në rritje, të rinjtë në shtetet e BE-së identifikohen si me vendlindjen e tyre, ashtu edhe me bashkimin në tërësi. Megjithatë do të ishte e nxituar dhe e rrezikshme të prisnim që pjesa tjetër e botës do të ndjekë lehtësisht shembullin e Europës. Edhe pse projekte për integrimin rajonal po bëjnë përparime edhe gjetkë, gjerësia dhe thellësia e përvojës europiane mund të mbetet unike. Europa, vendlindja e modelit vestfalian, mund të jetë e gatshme të ecë përpara. Por kjo nuk vlen për pjesën tjetër të botës dhe Kissinger argumenton se është më mirë kështu. Pasi ai sqaron se “parimet vestfaliane në këtë libër janë bazat e vetme të njohura përgjithësisht nga ajo që ekziston si rend botëror”.

Por Kissinger është plotësisht i ndërgjegjshëm se sistemi ndërkombëtar ndikohet edhe nga faktorë të tjerë përveç politikës së fuqisë së madhe dhe që janë burime të tjera të plotfuqishme për rendin dhe trazirat – e ashtuquajtura ekonomi globale, mjedisi dhe ndryshimet teknologjike. Sidoqoftë, disa nga këta faktorë marrin një rol dytësor në punimin e Kissinger-it.

Loading...