Lojtarët e Gjermanisë, secili prej tyre, do të marrë një bonus financiar prej 350.000 € nëse fitojnë Kupën e Botës në Rusi, vitin e ardhshëm. Joachim Low i priu “Die Mannschaft” drejt titullit të katërt botëror në “Brazil 2014”, pasi goli në kohën shtesë i Mario Gotze vulosi një fitore 1-0 ndaj Argjentinës, në finale. E përforcuar nga një gjeneratë e re talentesh të shkëlqyera, Gjermania e Low shihet si kombëtarja e parë që mund të fitojë për herë të dytë radhazi Kupën e Botës, që nga Brazili në vitin 1962. Nëse ata bien në pengesën përfundimtare, pra në finale, një bonus prej 200.000 eurosh do të jetë për lojtarët e Gjermanisë, ndërsa vendi i tretë do të dërgonte në xhepat e tyre nga 150.000 euro. Struktura e bonusit të Federatës Gjermane të Futbollit (DFB) llogarit, gjithashtu, 125.000 euro në rastin e një gjysmëfinaleje dhe 75.000 € për çerekfinalen.

Kjo është vendosur pas bisedimeve me një delegacion lojtarësh, të udhëhequr nga portieri i Bayern Munich dhe i ekipit kombëtar, Manuel Neuer. Presidenti i DFB, Reinhard Grindel, tha: “Është një motivim i madh për lojtarët tanë, që të bëhen fitues të Kupës së Botës dy herë radhazi, për herë të parë në historinë e futbollit gjerman. Ky do të ishte një titull i përjetshëm dhe është i denjë për një bonus të posaçëm, por ne mund ta kuptojmë se sfida nga pikëpamja sportive është pika qendrore për ekipin dhe jo interes financiar”. Gjermania do të hapë fushatën e Grupit F kundër Meksikës, në Moskë, përpara se të ndeshet me Suedinë dhe Korenë e Jugut, në vazhdim.

Loading...