Vladimir_Putin
Nga Sebastian Fischer & Holger Stark, Der Spiegel

Ish-këshilltari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në SHBA, Zbigniev Brzhezhinski beson se Perëndimi duhet t’u qëndrojë fort aksioneve të presidentit rus, Vladimir Putin, në Ukrainë. “Ne duhet ta bëjmë më të kushtueshme përdorimin e forcës nga rusët”, – thotë ai gjatë një interviste për “Der Spiegel”. Rusia dëshiron të zgjerojë arsenalin e saj të raketave ndërkontinentale. SHBA-ja nga ana e saj synon të instalojë armatimin e rëndë në vendet e Europës Lindore, anëtare të NATO-s. Përveç kësaj, Uashingtoni po shqyrton mundësinë e vendosjes në Europë të raketave të reja atomike, në kundërpërgjigje të pretendimeve se Moska ka shkelur traktatin e pakësimit të armëve.

Kriza në Ukrainë po kërcënon të përhapet. Zbigniev Brzhezhinski, që ka mbajtur detyrën e këshilltarit të sigurisë kombëtare i presidentit Xhimi Karter në vitet 1977-1981, flet për Luftën e re të Ftohtë. Aktualisht 87 vjeç, ai punon për Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) në Uashington.

Spiegel: Zoti Brzhezhinski, a po përjetojmë fillimin e një Lufte të re të Ftohtë midis Rusisë dhe SHBA-së?

Ne jemi tashmë në një Luftë të Ftohtë. Nëse kjo do të bëhet e nxehtë, për fat të mirë ka ende pak gjasa.

Spiegel: Lufta e fundit e Ftohtë zgjati më shumë se 40 vjet. A do të zgjasë po aq këtë herë?

Nuk e besoj. Gjërat lëvizin shumë më shpejt. Presionet nga jashtë, sot ndihen më shumë së brendshmi. Nëse kjo situatë vazhdon, dhe nëse Ukraina nuk do të shembet, presionet e brendshme në Rusi do të detyrojnë cilindo që është në pushtet, të shqyrtojë alternativat e tjera. Unë shpresoj se Putin është i zgjuar sa ta dijë, se është më mirë të shqyrtojë skenarë të tjerë para kohe, dhe jo kur të jetë shumë vonë.

Spiegel: A është ai mjaftueshëm i zgjuar?

Kjo është shumë e vështirë për t’u përcaktuar. Ai ka atë që quhet “smarts” në SHBA, një lloj zgjuarsie instiktive. Ai ka një sofistikim të vërtetë. Unë pyes veten pse Putin thuajse qëllimisht po armiqësohet me më shumë se 40 milionë njerëz të një vendi fqinj, që deri kohët e fundit nuk kishte ndonjë armiqësi ndaj Rusisë.

Spiegel: Mendoni se është e drejtë për SHBA-në, të dërgojë armë të rënda në Europën Lindore dhe shtetet baltike?

Por ju, a mendoni se është e drejtë të dërgohen trupa dhe armë në një vend sovran dhe të fillohet një luftë e kufizuar, pasi të kesh pushtuar një pjesë të madhe të tij?

Spiegel: Ju jeni duke folur për veprimet e Rusisë në Ukrainë…

Ju duhet të shihni të dyja anët e medaljes. Kjo është një çështje e veprimit dhe reagimit. Unë nuk dua luftë, por nuk do të frikësohem nga argument, se nëse ne u kundërpërgjigjemi në mënyrë simetrike veprimeve të njëanshme të palës tjetër, atëherë i bie të jemi disi provokues dhe shkaktarë të luftës. Është në fakt e kundërta. Të mos veprosh në këtë mënyrë, do të thotë të rrisësh shanset për të shkaktuar një luftë.

Spiegel: Por, a nuk është NATO duke luajtur sipas propagandës antiperëndimore të Putinit?

Ju doni të thoni se NATO-s, nuk i lejohet të vendosë trupa në territorin e shteteve të saj anëtare, kur diçka potencialisht e rrezikshme po ndodh aty pranë?

Spiegel: Çështja është politikisht e mençur, për shkak mbështetjes në rritje që ai mund të sigurojë në vend…

Ky është pikërisht argumenti, që dikush mund të ketë bërë për një reagim si ai për të përmbajtur Gjermaninë Naziste, kur Hitleri pushtoi Sudetet në Çekosllovaki ose me Anshlusin në Austri.

Spiegel: Jeni duke e krahasuar Putinin me Hitlerin?

Unë mendoj se ka disa ngjashmëri, por edhe dallime. Hitleri nuk ishte i interesuar në mënyrë të veçantë, për të bërë sa më shumë para. Putin ka një interes anësor në krijimin e një pasurie të madhe, dhe kjo paraqet një perspektivë disi të ndryshme në jetën e tij, e cila ndoshta mund të stabilizojë dhe kalitë pasionet. Por ajo që mbetet veçanërisht e rrezikshme, fakti që ai është një lojtar.

Spiegel: Le të imagjinojmë një skenar ku Rusia pushton vendet baltike. A do të bëhet NATO pjesë e luftës?

Natyrisht, nëse Putin e ndërmerr këtë hap. Kjo është edhe në statutin e NATO-s, apo jo? Ne s’mund t’i themi botës:”Ne nuk e kemi me gjithë mend atë që themi. Ne nuk do të bëjmë asgjë, nëse ju bëni ndonjë gjë?” Kjo është pak e shumë si të varësh në derën e përparme shënimin:”Ne jemi larguar, dyert nuk janë mbyllur”. A mendoni se kjo do të ishte një strategji e zgjuar mbi sigurinë?

Spiegel: Sipas një studimi të kohëve të fundit nga “Pew Research Center”, 58 për qind e gjermanëve nuk beson se Gjermania duhet të përdorë forcën ushtarake për të mbrojtur një aleat të NATO-s, nëse sulmohet nga Rusia.

E kam lexuar atë anketë. Atëherë unë pyes:sa gjermanë do të shpreheshin kështu, nëse Gjermania sulmohet, a nuk duhet që Shtetet e Bashkuara t’i shkojnë në ndihmë?

Spiegel: Ndoshta, shumica do të thonë se Shtetet e Bashkuara duhet të na ndihmojnë…

Po, natyrisht. Kjo është natyra e njeriut. Kjo është arsyeja, pse unë nuk shqetësohem shumë për këto gjëra, sepse natyra e njeriut ndryshon me ndryshimin e rrethanave. Shikoni lituanezët, atij vendi shumë të vogël. Ata kanë bërë me dije, se do të marrin të gjitha masat për të mbrojtur veten. Dhe kjo duhet ta bëjë me turp Gjermaninë. Në fakt, unë besoj se Gjermania do të luftonte. Unë mendoj se zonja Merkel do të luftonte. Dhe opozita do të bënte të njëjtën gjë.

Spiegel: Në konfliktin ukrainas, presidenti amerikan Obama e ka lënë kancelaren gjermane Merkel të marrë rolin e udhëheqëses. Është një lëvizje e mirë?

Unë besoj se kancelarja Merkel është duke bërë një punë jashtëzakonisht të mirë. Obama ndërkohë ka disa probleme të tjera, siç është për shembull Lindja e Mesme.

Spiegel: Merkel beson se dërgimi i armëve në Ukrainë, do të ishte një hap i gabuar. Ajo nuk beson se ka një zgjidhje ushtarake të krizës. Cili është komenti juaj?

Ne duhet ta bëjmë sa më të kushtueshme përdorimin e forcës nga rusët. Unë mendoj se ka kuptim, që Ukraina të furnizohet me armë mbrojtëse, si mortaja dhe raketa anti-tank, me qëllim mbrojtjen e qyteteve të mëdha. Nëse doni të menaxhoni një vend të madh, duhet të merrnin nën kontroll qytetet e mëdha. Duke e bërë këtë, kjo ka një kosto aq të lartë, sa njerëzit janë të gatshëm për ta mbrojtur.

Spiegel: A shihni një zgjidhje të mundshme të krizës, që ia del të shmangë përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës?

Unë besoj se rezultati përfundimtar i kësaj krize duhet të arrihet në bazë të një përshtatjeje, dhe se korniza themelore për një gjë të tillë, është firmosja nga ana e Ukrainës të të njëjtave marrëveshjeve, që kanë garantuar me herët stabilitet dhe paqe për disa dekada me radhë ndërmjet Rusisë dhe Finlandës. Ukraina duhet lënë e lirë të zgjedhë identitetin dhe filozofinë e saj politike dhe ta institucionalizojë atë përmes lidhjeve më të ngushta me Europën. Por në të njëjtën kohë, Rusia duhet të sigurohet në mënyrë të besueshme se Ukraina nuk do të bëhet anëtare e NATO-s. Unë ende mendoj se kjo është formula e zgjidhjes së krizës.

*Në shqip nga: bota.al

Loading...