Bullatoviq: Ja çka kishte ofruar Serbia që të mos bombardohej

Beogradi në vitin 1999 kishte bërë përpjekje të gjithanshme për të shpëtuar nga bombardimet e NATO-s pasi kishte refuzuar nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambouillet dhe kishte vazhduar sulmet dhe dëbimet e shqiptarëve nga Kosova.

Të paktën kështu del nga një intervistë e një ish – zyrtari të lartë të ish-Jugosllavisë.

Momir Bulatoviq, ish –kryeministër i sajesës Serbi – Mali i Zi, siç quhej Republika Federale e Jugosllavisë, ka zbuluar se bashkë me Sllobodan Millosheviqin në vitin 1999 kishte propozuar që ish – RFJ të bëhej anëtare e NATO-s, transmeton Koha.net

Këtë propozim, sipas rrëfimit që e ka publikuar sot portali i Beogradit “kurir”, kjo dyshe udhëheqëse e shtetit që pasi kishte filluar e përfunduar, kryesisht me humbje, të gjitha luftërat në ish – Jugosllavi, sekretares amerikane të Shtetit Madeleine Albright i kishte propozuar anëtarësim në NATO.

Sipas Bullatoviqit, Albright këtë propozime e kishte refuzuar duke thënë se “ky nuk është opsion”.

“Për këtë ekziston edhe shkresa zyrtare. Këtë ia kishte propozuar Milan Milutinoviq (ish – kryetar i Serbisë) Madeleine Albirghtit. Në takimin para Rambouillet, kur Milutinoviq i tha asaj se Serbia është e gatshme të hyjë në NATO, ajo së pari u alivanos (sic!) e pastaj u kthye dhe tha “jo, ky nuk është opsioni”.

Sipas ish – bashkëpunëtorit të Millosheviqit “do të kishte qenë më mençuri po ta na kishin pranuar në NATO sesa që na bombarduan”.

Gjithnjë sipas Bullatoviqit, Beogradi amerikanëve ua kishte premtuar edhe bazën „Bondsteel” me pëlqimin e Qeverisë së Serbisë e të Jugosllavisë për kompensimin simbolik një dollar.

“Iu kemi ofruar edhe administrimin e pasurive minerare, koncesione në potencialet energjetike e xeherore në Kosovë, sepse pasi ne nuk mund të gjenim gjuhë të përbashkët me shqiptarët, le të jetë atje një kompani angleze ose amerikane. Iu kemi ofruar çdo gjë që të mos ketë luftë, por atyre iu duhej ajo luftë”, ka thënë Bullatoviq.

Loading...