Burime pranë LSDM-së: Pasi e “përjashtuam” BDI-në nga negociatat, emri u zgjidh më shpejtë Burime partiake pranë LSDM-së kanë thënë se përfaqësuesit e BDI-së dy-tre javët e fundit tërësisht janë distancuar nga negociatat për çështjen e emrit. “Pikërisht gjatë kësaj periudhe ka ndodhur përparimi më i madh në negociata. Edhe para një muaji ishim në prag të zgjidhjes së problemit gjatë samitit të BE-së në Sofje, mirëpo kemi përshtypje se dikush dërgonte informacione në VMRO dhe te Ivanovi dhe zgjidhja u komplikua. Dyshimet tona ishin se këtë mund ta ketë bërë BDI-ja, prandaj vetndosëm ta distancojmë këtë subjekt nga negociatat, të mos them ta përjashtojmë fare”, ka thënë një burim pranë LSDM-së, duke dashur të mbetet anonim, i cili prej afer ka qene i kycyr ne negociatat per emrin.
Sipas tij, “me këtë sjellje BDI vetëm ka zvarritur por nuk ka mundur të pengojë zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi mbi 20 vjeçar, e që posaçërisht u ndërlikua në kohën e qeverisjes VMRO-BDI”.
“BDI tani është e dobët, ka vetëm 10 deputetë dhe nuk mund të pengojë proceset euroatlantike. Mirëpo nëse më pyetni se a e kanë zvarritur këtë çështje, përgjigja ime është pozitive”, ka theksuar i njëjti burim.
Në ndërkohë, zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani sot informoi partinë amë BDI për rrjedhën e negociatave me Greqinë për çështjen e emrit. Pas mbledhjes e cila zgjati disa orë, Osmani kumtoi qëndrimin se Qeveria dhe kryeministri Zaev kanë përkrahjen e tyre të plotë për zgjidhur çështjen e emrit.
“Me kërkesë të kryetarit të BDI-së e informova kryesinë e partisë dhe liderin për rrjedhën dhe progresin e negociatave të Qeverisë me Republikën e Greqisë për zgjidhjen e kontestit të emrit. Informova anëtaret e kryesisë dhe liderin Ali Ahmeti për pozicionet dhe qëndrimin e harmonizuar të Qeverisë në negociata si dhe për sfidat kryesore të procesit , me ç’rast kërkova, dhe kryesia e BDI-së solli vendim për mbështetje të tërësishme të negociatave si dhe mbështetje për qëndrimin e harmonizuar të Qeverisë . Nga këtu nisem drejt Qeverisë ku pres që kryeministri Zaev ti kumtojë rezultatet përfundimtare nga negociatat”, tha Osmani.

Loading...