Kosovë-Shqipëri
03/12/2015 19:33:34

Bushati, në mes të Beogradit: Kosova meriton të jetë pjesë e OSBE-së

largea_big_img_5062-620x3251449164625

Tre javë pas akteve terroriste të 13 nëntorit 2015 në Paris, ngjarje që nxori në pah nevojën për forcimin e sigurisë në hapësirën e OSBE-së, u mblodh në Beograd Këshilli i 22-të Ministror i OSBE-së.

Ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati mori pjesë në ministerial, ku, duke iu referuar zhvillimeve më të fundit, Bushati u shpreh se: “Harku i paqëndrueshmërisë me në epiqendër Sirinë, ka prodhuar një krizë humanitare me përmasa dramatike, krizë refugjatësh të paprecedentë dhe një krizë të sigurisë me pasoja për të gjithë hapësirën e OSBE-së”.

Takimi i Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të OSBE-së shërbeu si një mundësi për diskutime thelbësore mbi gjendjen e sigurisë në Evropë, mbi forcimin e dialogut, të rikonfirmimit të parimeve themelore të OSBE-së dhe forcimin e angazhimit në rindërtimin e besimit mes shteteve pjesëmarrëse.

Gjatë punimeve u diskutua mbi krizat dhe kërcënimet e sigurisë me të cilat përballet sot Lindja dhe Jugu i Evropës, uljen e tensioneve në zonën e OSBE-së dhe për kontributin e mëtejshëm në ndalimin e përshkallëzimit të krizës në Ukrainë. Ndër çështjet me rendësi qe u trajtuan në Ministerial ishin flukset e mëdha të migracionit, si dhe kërcënimet terroriste në hapësirën e OSBE-së.

Ministri Bushati u shpreh se: “Shqipëria beson se OSBE duhet përforcuar, sidomos në ato fusha të veprimtarisë ku organizata ka një vlerë të shtuar, në frymën e bashkëpunimit, gjithëpërfshirjes dhe përplotësimit me organizata të tjera, si NATO dhe BE”.

Duke u ndalur mbi ecurinë e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor, Ministri theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë OSBE-në, ku Kosova meriton të jetë anëtare.

To Top