Bushi ka një sugjerim për Panuccin: Seferi, gati për kombëtaren (Video)

Alban Bushi, trajneri i Shqipëria U-21, doli sot në një konferencë për shtyp, ku analizoi dy miqësoret e fundit me Bjellorusinë, gjendjen e skuadrës që drejton, ndërsa evidentoi edhe elementë të veçantë. Mes të tjerash, “Loku” nënvizoi: “Grumbullimi thuajse dyjavor na bëri shumë mirë, pasi ishte një periudhë relativisht e gjatë. Unë mendoj se nga ky grumbullim kemi fituar 5-6 lojtarë të datëlindjes 98-99, të cilët mund t’i përdorim për edicionin tjetër.

Personalisht, jam tërësisht i kënaqur. Selahi, Spahiu, Shefiti, Kolaj, Shabani, por edhe të tjerë, që debutuan këtë herë, mund të them me bindje se e kaluan testin dhe do të jenë e ardhmja e Shpresave. Ata luajnë në klube të mira dhe kanë shumë minuta në këmbë, ndaj besoj se kjo është mjaft pozitive. Në shtator do të përballemi me Spanjën, në kualifikuesen e radhës. Sidoqoftë, të jem i sinqertë, nuk është se punova me mendjen te Spanja, por për të përmirësuar filozofinë tonë të lojës dhe për të përfshirë në ekip lojtarët e grumbulluar rishtazi.

Me Spanjën do të tentojmë të bëjmë diçka ndryshe, pasi do të grumbullojmë lojtarët më ekspertë dhe do të luajmë të tërhequr, sepse në të kundërt mund ta pësojmë keq. Me sulmuesit kemi pasur probleme, me thënë të drejtën, pasi nuk është se kanë shënuar gjatë kësaj periudhe. Mund të them se edhe ata kanë pasur probleme me dëmtimet, siç është rasti i Durmishajt, që ka luajtur vetëm dy ndeshje. Në ndeshjet e fundit morëm Manajn, që shënoi, të cilin mund ta kishim marrë edhe më herët. Gjithsesi, jam i lumtur që shënoi edhe portieri, por veçanërisht që morëm barazimin, që do t’i shërbejë moralit të skuadrës.

Elementët nga Superiorja? Është e rëndësishme është që kampionati ynë po përmirësohet dhe të rritet gjithmonë e më shumë, për të qenë një furnizues jo vetëm i Shpresave, por edhe i kombëtares së madhe. Vetëm vitin e fundit kanë spikatur disa lojtarë të rinj në Superiore, siç është rasti i Gurit, Bregut, apo Abazajt, ndërsa edhe skuadrat po punojnë shumë më seriozisht, duke zhvilluar faza përgatitore jashtë vendit etj. Superiorja vijon të mbetet në fokusin tim dhe ka shumë talente, por më duhet të pranoj që ende lojtarët e këtij kampionati kanë mangësi nga ana taktike.

Ne jemi në funksion të kombëtares së madhe, të dërgojmë atje sa më shumë futbollistë. Për momentin e tehm me bindje se kemi lojtarë cilësorë, që mund t’i bashkohen skuadrës së Panuccit, duke filluar që nga muaji shtator. Mund të përmend Seferin, që luan me Young Boys, dhe është shumë potent. Këtë lojtar e shoh gati për të luajtur me kombëtaren e madhe, pasi ka entuziazmin, potencën dhe pjekurinë e duhur për ta bërë këtë”.

Loading...