Buzhala: Tiranët e majtë dhe hajnat e djathtë

“Në fakt situata është edhe pak më e komplikuar se sa kaq. Edhe tek e majta kemi hajna të djathtë, e edhe tek e djathta tiranë të majtë”, shkruan Berat Buzhala. Lexojeni të plotë shkrimin e tij.

Viktima e parë e luftës është e vërteta. Kjo thënie i është veshur senatorit amerikan, Hiram Warren Johnson.

Si duket në një konflikt të hapur, kur të gjithë përfshihen prej emocioneve, kur të gjithë futën në llogore të njërës ose tjetrës armatë, askush nuk ka as kohë, e sidomos as dëshirë, ta dijë të vërtetën. Pra, është ajo që vritet e para.

Ose, thuhet edhe ndryshe: të pavarurit varën të paret kur fillon konflikti. Të dyja palëve të përfshira në konflikt u intereson shumë që zërat racionalë t’i mbysin.

Me fjalë të tjera, as opozitës, e as pushtetit, këto ditë, nuk u intereson e vërteta. Secila prej të dy palëve e ka të vërtetën e saj, që përmes mediave, përmes rrjeteve sociale, ua transmetojnë militantëve. Me asnjë kusht nuk janë të interesuar ta ndryshojnë.

Sido që të jetë, derisa një gjë e tillë edhe më tutje nuk ka ndodhur, ne do të vazhdojmë t’i japim opinionet tona.

E kam parasysh se në këtë zhurmë të madhe, në këtë kakofoni, është jashtëzakonisht e vështirë të përçohet mesazhi i duhur, por sipas të gjitha gjasave kur të vijë ‘koha e duhur’ për të përcjellë mesazhin, atëherë mund të ndodhë që mesazhi të mos jetë i duhuri.

Hajnat e djathtë

Gjatë gjithë viteve të pasluftës njëra prej temave që është raportuar më së shpeshti në mediat tona kishte qenë profilizimi i partive politike në vend. Sapo lajmërohej ndonjë gazetar i ri për punë, tema e parë që i shkonte në mend redaktorit ishte që ta porosiste atë që të pyeste partitë nëse janë të profilizuara. Pra, kjo ishte një temë aq monotone, sa ishte komike.

Me ngulm po shtrohej pyetja se si është e mundur që, tek ne, të gjitha partitë kryesore në vend të ishin të djathta.

Me një fjalë gjendja ishte kjo: Udhëheqësit e Lidhjes Demokratike të Kosovës ishte arratisur të parët nga ideologjia e tyre. Ata të gjithë, shumica, kishin qenë komunistë jugosllavë. Disa të tjerë, ish të burgosur politikë, kishin qenë enversitë. Analizat e dala prej gojës së LDK’së se përse ishin të djathtë ishin idiotike, sa nuk ia vlejnë t’i analizojmë.

Pasluftës në Kosovë, siç dihet, u formuan edhe shumë subjekte të tjera politike. Themeluesit e PDK’së, pothuajse të gjithë, ishin enveristë. Kështu në fillet e tyre ata subjektin e tyre po e dërgonin në boshtin e majtë. Kishin marrë pjesë edhe në organizime të të majtës europiane. Pas humbjeve të rënda elektorale, udhëheqësit e PDK’së, në vend që ta fajësonin vetën, e fajësuan ideologjinë. Ata menduan që populli nuk po i do sepse ishin të majtë. Sikur kur i ndërrojmë çorapet, në PDK kishin vendosur të dilnin në spektrin e djathtë.

Duke i parë këto të dyja, të tillë, pra të djathtë, u deklaruan edhe disa prej partive më të vogla. E posaçërisht AAK, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Madje, nëse do të bënim një kategorizim se kush ishte më i djathtë nga të gjithë, atëherë ai ishte Haradianj dhe AAK, edhe pse, ta zëmë, një prej bashkëthemelueseve ishte edhe Mahmut Bakalli, lider i njohur komunist.

Kështu, pa asnjë konsideratë për parimet në bazë të të cilave dikush konsiderohet i majtë ose i djathtë, i gjithë spektri politik po shkonte djathtas. Sikur veturat që shkojnë në anën e djathtë.

Bijtë e Titos dhe Enverit po gjenin strehë në gjirin e Ronald Regan dhe Margaret Thatcher.

Të jesh i majtë do të thoshte të ishe komunist, sipas botëkuptimeve të liderëve kryesorë në vend. Në rastin e tyre kjo edhe ishte e vërtetë. Ata kishin qenë të majtë, sikur që është sot Kina, Kuba dhe Koreja e Veriut, e jo të majtë sikur janë italianët, danezët ose norvegjezët.

Ose, mund të themi edhe kështu: këta udhëheqës kurrë nuk kanë qenë as të majtë e as të djathtë. Ripozicionimet e tyre, lëvizjet e tyre prej një spektri në një tjetër, i kanë bërë për përfitime personale, e jo për të mbrojtur kauza ideologjike.

Për qëllime të pastra të mashtrimit të njëjtit, pasluftës, u deklaruan të djathtë, duke e kontaminuar edhe këtë ideologji politike. Përveç tjerash, rreshtimi pro të djathtës tash do t’u ndihmonte shumë edhe për përfitime personale.

Ata, së bashku me familjet e tyre, përgjatë gjithë këtyre viteve e vodhën shtetin, gjatë privatizimit, në emër të së djathtës. U bën milionerë, sepse ishin të djathtë dhe që sipas tyre nuk kishte asgjë të keqe. Pasuruan kompanitë e afërta më ta, sepse kështu e kërkonte e djathta.

Qe një shembull, pse ata janë vetëm abuzues të thjeshtë: kjo kastë politike ka shitur e ka blerë, ka bërë tregti prej më të ndryshmeve, por kurrë nuk ka arritur që Kosovën ta shndërroj në një hapësirë të lirë dhe të barabartë për të gjithë për të bërë biznes. Këtu kanë operuar në mënyrë të barabartë vetëm familjet e tyre, ose bizneset e afërta me ta.

Pra, padrejtësisht u njollos ideologjia e djathtë. Tashmë askush nuk beson se privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore ishte një gjë e duhur. Askush nuk beson që shitja e kompanive publike ndihmon zhvillimin ekonomik. Sepse në emër të këtyre ‘politikave të djathta’ hajdutët u bën milionerë, kurse ekonomia vazhdon të stagnojë.

Tiranët e majtë

Avokati Dastid Pallaska e ka thënë shumë bukur në një prej intervistave të tij, duke folur për reagimet e mundshme që pritet të ndodhin, kur merr fund një klasë politikanësh abuzues.

“Drejtësia vjen në formë të padrejtësisë”, thotë Pallaska.

Prandaj, fatkeqësisht, mund të konsiderohet normale, stuhia që po i përplas fuqishëm dyert e demokracisë në vendin tonë.

Pas gjithë këtyre që kanë ndodhur, pas abuzimit me të djathtën dhe me privatizimin, pas krijimit të një klasë të re milionerësh, pas stagnimit ekonomik, pas rrënimit të arsimit dhe shëndetësisë etj., do të ishte jonormale që të prisnim një tranzicion normal.

Praktikat e vendeve tjera tregojnë se reaksioni ndaj padrejtësisë ka qenë pothuajse po aq i rrezikshëm sa edhe vet ajo kundër të cilës protestohet.

E kam përmendur edhe herëve të tjera, por dëshiroj që ta përsëris. Pas pushteteve korruptive, pas qeverive zhvatëse, shoqëri të ndryshme janë ndëshkuar me regjime totalitare agresive.

Sa për ilustrim: Para regjimit të Ayatollaheve Irani ishte udhëhequr prej një monarkie të diskredituar, siç ishte ajo Shah Pahllavit. Pak a shumë njëjtë kishte edhe ndodhur me Kubën e Batistës, Libinë e Gadafit, Egjiptin e Mubarakut etj. Në shumicën e herëve kemi qenë dëshmitarë okularë, përmes ekraneve, për të parë se në çfarë forme është kënaqur drejtësia. Vazhdimisht në formën më brutale të padrejtësisë. Dhe çuditërisht, fillimisht, opinioni i toleron dhe i duartroket ndryshimet radikale.

Çka ka lidhje kjo me ne?

Sigurisht që Kosova edhe është vend i vogël, por edhe i parëndësishëm, për t’u krahasuar, ose ilustruar me shtetet që i përmenda më sipër. As nuk mund të krahasohet Thaçi me Pahlavin, e as Albini me Ayatollahin. Së paku jo në mënyrë të përpiktë. Tek e fundit në vendin tonë janë edhe më tutje forcat e KFOR’it, që për cdo rast mund t’i prishin skemat, qofshin ato edhe më te errëtat.

Mirëpo, ideja është saktësisht ajo.

Të rinjtë, të indoktrinuar rrezikshëm, duke mos pasur mbamendje personale për historinë e vendit tonë, po armiqësohen me Perëndimin, të cilin e njohin vetëm prej Qeverisë tonë.

Për këto masa të manipuluara, që tashmë janë në duart e tiranëve të majtë, problemi real tashmë nuk është vetëm qeveria e vendit. Ata i kemi dëgjuar tek flasin edhe për padrejtësisë në rrafshin global. Atyre u servohen filma me ngjarje nga Algjeria, Nikaragua, Venezuela, Palestina etj. Mos të flasim për librat që i lexojnë, e që tashmë mund të konsiderohen si një armë jashtëzakonisht e rrezikshme.

Ata nuk po kërkojnë ndryshimin e qeverisë, ata po kërkojnë ndryshimin e sistemit. E posaçërisht ndryshim rrënjësor të raportove tona me Perëndimin, që sipas tyre është i padrejtë, dhe për këtë dëgjojmë shembuj që prej Lindjes së Mesme e deri në Amerikën Latine. Pra, që t’i themi jo ‘vazalitetit’. Jo kolonializmit. Me grushtin lart.

Shembujt e shoqërive me qindra miliona banorë po eksperimentohen në një shoqërizë të vogël, sikur kjo e jona. Kur shoqëritë e mëdha përdorin eksperimente të tilla dëmi që e prodhojnë është i madh për shtetet e tyre, por edhe për ato që sillen rreth tyre. Ndërsa kur ne eksperimentojmë me ide të tilla fundamentaliste pasojat do t’i bartim ekskluzivisht ne.

Ndoshta e kam përdorur edhe më herët, por megjithatë dëshiroj ta mbyll ketë shkrim, duke cituar njërin prej kolumnistëve më të mirë britanik, të kohëve të fundit, Nick Cohen.

Ai duke analizuar fituesin e garës për Kryetar të Partisë Laburiste, Jeremy Corbin, thoshte se po të detyrohej të zgjidhte në mes të një personi te komprometuar deri në një masë moralisht dhe një fundamentalisti të ndershëm, gjasat janë më të mëdha që ta zgjidhte të parin. Këta të fundit, shkruante Cohen, janë jashtëzakonisht të rrezikshëm, sepse besojnë verbërisht në ato që i thonë, madje edhe kur e kanë gabim.

Kështu për shembull, askush nuk mund ta mohojë ndershmërinë e luftëtarëve vetëvrasës të forcave të ISIS’it. Ata sigurisht janë të ndershëm maksimalisht. Nuk mund të flasim për kurrfarë lloji të korrupsionit. Mirëpo, ata e kanë vetëm një problem, të rëndë: E kanë gabim.

Dhe mos të harrojmë ta potencojmë edhe një fakt: tek hajdutët e djathtë ka mjaftë tirani të majtë, por edhe tek tiranët e majtë ka mjaftë hajdut të djathtë.

Loading...